Mos e pastroni parketin dhe laminatin në këtë mënyrë: Vetëm do t’i dëmtoni

Pastruesit me avull janë kthyer në modë për ata që duan një shtëpi të pastër, pa kimikate dhe pa shumë mundim. Por ekspertët paralajmërojnë: nëse ke parket apo laminat, mendo dy herë para se të kalosh avullin mbi to
Në teori, pastrimi me avull është “miqësor” për mjedisin dhe praktik për shëndetin, pa detergjentë, pa alergji, vetëm ujë dhe presion. Por ky veprim mund të jetë armiku më i madh i dyshemesë së drurit nëse nuk përdoret me kujdes.
Ku qëndron problemi?
Shumë parkete nuk janë të izoluar 100%, mes dërrasave shpesh ka vrima që nuk i sheh me sy. E po aty futet avulli i nxehtë, që së bashku me presionin hap poret e drurit. Rezultati? Fryrje, deformime, madje edhe dëmtim i brendshëm i parketit apo laminatit.
Kjo ndodh edhe më shpejt nëse dyshemeja ka gërvishtje ose çarje të vogla, që krijohen natyrshëm me kalimin e kohës nga ecja, lëvizja e mobilieve, apo nga këmbët e kafshëve shtëpiake. Dhe kur lagështia futet, parketi fillon të humbasë formën, të fryhet dhe mund të mos kthehet më si më parë, transmeton Telegrafi.
Si duhet të veproni?
Në vend të avullit, zgjidhni një solucion të posaçëm për pastrim parketi ose laminati. Aplikojeni me një leckë të butë dhe të shtrydhur mirë - lagështia duhet të jetë minimale.
Pastroni pjesë-pjesë, pa e lagur tepër dyshemenë. Pastrimi me leckë të lagur bëhet vetëm kur është realisht i nevojshëm, ndryshe është më mirë të fshish me fshesë me rrymë ose me fshesë të thatë.

Një tjetër këshillë: kurrë mos përdorni uthull ose pastrues agresivë që mund të gërryejnë sipërfaqen. Mund të duken “natyralë”, por aciditeti i uthullës e dëmton mbrojtjen e parketit dhe laminatit.
Pra, çelësi është kujdesi dhe masa.
Dyshemeja prej druri i jep ngrohtësi shtëpisë, mos lejoni që një pastrim i gabuar t’ia heqë këtë hijeshi. Në fund të fundit, ndonjëherë më pak ujë do të thotë më shumë jetëgjatësi për dyshemenë tuaj! /Telegrafi/



















































