Ish-presidenti i Interit, Massimo Moratti, e ka komentuar situatën e tanishme të Antonio Contes dhe u ka thënë gazetarëve se ai është trajneri më i përshtatshëm për t’ua fituar titullin Nerazzurrëve në rast të largimit të Simone Inzaghit.

Strategu italian u largua nga posti i trajnerit të Tottenham Hotspur të dielën mbrëma, pasi kontrata e tij u ndërpre me pëlqim të ndërsjellë.


Që atëherë, klube të ndryshme janë lidhur me Conten, sidomos ato italiane, duke qenë se familja e tij jeton ende në Torino.

conteinter (Foto: Football Italia)

Interi është njëri prej këtyre klubeve, kur kihet parasysh e ardhmja e pasigurt e trajnerit të tanishëm. 53-vjeçari ua fitoi Scudetton zikaltërve në sezonin 2020/2021, ndërsa u largua nga posti i tij vetëm disa javë më pas, për të nënshkruar më vonë me Spursat.

“Nëse dëshironi ta fitoni kampionatin, ai (Conte) është ndoshta trajneri më i përshtatshëm për ta arritur atë qëllim. Sido që të jetë, nuk e kam pasur rastin të flas me (Giuseppe) Marottan, prandaj nuk di çfarë të them në lidhje me këtë”, është shprehur Moratti. /Telegrafi/

telegrafi sport app