Morata largohet nga Galatasaray, i fal klubit turk mijëra euro

Alvaro Morata nuk është më lojtar i Galatasarayt. Sulmuesi spanjoll ka ndërprerë kontratën me klubin turk me pëlqim të ndërsjellë dhe ka vendosur t’i falë ekipit të Stambollit një shumë prej 651,562 eurosh për të lehtësuar largimin e tij.
Në njoftimin zyrtar, Galatasaray bëri të ditur se marrëveshja mes Moratës, klubit të tij të parë (AC Milan) dhe skuadrës turke është prishur në bazë të një akordi të përbashkët.
Sipas detajeve, AC Milan do të paguajë 5 milionë euro ndaj Galatasarayt si pjesë e marrëveshjes.
Morata iu bashkua Galatasarayt më 20 janar 2025 nga AC Milan në formë huazimi për 6 milionë euro, me një opsion blerjeje të detyrueshëm prej 8 milionë eurosh deri në vitin 2026.
Gjatë periudhës së tij në Turqi, 32-vjeçari zhvilloi 16 ndeshje, ku shënoi 7 gola dhe dhuroi 1 asist. Tani, sulmuesi i lindur në Madrid pritet t’i bashkohet Como-s së Cesc Fábregas, duke nisur një kapitull të ri në karrierën e tij.
Klubi turk e përcolli me një mesazh mirënjohjeje me një deklaratë zyrtare që njofton ndërprerjen e kontratës së tij.
" Kontrata midis kompanisë sonë dhe futbollistit profesionist Alvaro Borja Morata Martin dhe klubit të tij AC Milan SpA është ndërprerë me pëlqim të ndërsjellë. Si pjesë e marrëveshjes, AC Milan SpA do t'i paguajë kompanisë sonë një tarifë ndërprerjeje prej 5,000,000 euro. Për më tepër, lojtari ka hequr dorë nga pagat e tij në vlerë prej 651,562 euro", thuhet në njoftim. /Telegrafi/




















































