LAJMI I FUNDIT:

Momenti i Robin Williamsit

Momenti i Robin Williamsit
5.0.2

Ishte viti 1989 dhe një profesor vizionar e i dashuruar me Shekspirin u ngrit në këmbë mbi tryezë, për t’i kujtuar vetes dhe nxënësve të tij se duhet që gjithmonë t’i shohim gjërat nga këndvështrime të ndryshme: “Pikërisht atëherë kur mendoni se dini diçka, duhet ta shihni nga një tjetër pikëvështrim. Ngjituni lart bashkë me mua. Duhet ta provoni bijtë e mi; duhet të luftoni për të gjetur zërin tuaj. Sa më vonë që të filloni, aq më i madh është rreziku që të mos e gjeni fare. Mos u dorëzoni. Guxoni të ndryshoni. Kërkoni rrugë të reja”.

Profesor Keating, alias Robin Williams, u bënte thirrje studentëve që të kapnin momentin, të kultivonin ëndrrat e tyre, ta fusnin jetën e tyre në binarët e përzgjedhur në mënyrë autonome dhe jo të imponuar nga të tjerët.

Vetëm një tjetër vizionar, si Steve Jobs, do të përsëriste 16 vjet më vonë atë emocion në mendjet e studentëve, në një fjalim tejet karizmatik, këtë herë jo të një heroi të letërsisë, por një menaxheri që sfidonte të rinjtë që të dëgjonin historinë e tij të suksesit, me fjalinë e famshme: Jini të uritur, jini të “çmendur”.


Ka filma që ndryshojnë jetën e atyre që i realizojnë dhe atyre që i shohin dhe “Shoqëria e poetëve të vdekur” që regjisori Peter Weir e vendos në një kolegj të zymtë të Vermontit në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar, është një prej tyre, edhe pse ndonjë kritik i gjithëditur i kohës e ka quajtur si shumë të sheqerosur (“Isha kaq i prekur, sa në fund doja të villja”, shkruante atëherë Roger Ebert).

“Shoqëria e poetëve të vdekur” flet për pasionin dhe kreativitetin dhe, siç rrëfente Williams, prekte njerëzit që kishin fatin ta ndeshnin në rrugën e tyre.

Bipolar, viktimë e alkoolit dhe drogave për periudha të gjata të jetës së tij… edhe pse edhe në momentet më të errëta, Williams nuk e humbiste ironinë dhe gjente rrugëdalje përmes batutave: “Kokaina është mënyra e Zotit për të të thënë se po fiton shumë para”. Ai iku nga kjo botë në gusht të vitit 2014, ndoshta i vetëvrarë, ndoshta i mbytur nga palumturia e tij prej komiku të trishtuar. /Përgatiti: bota.al/