Në vitin 2003, në Selanik, udhëheqësit e BE=së morën vendimin largpamës për t’u ofruar anëtarësimin në BE vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa, vendet e rajonit u zotuan të respektonin vlerat e përbashkëta të demokracisë, sundimit të së drejtës, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe parimet e rregullat e ekonomisë së tregut. Asokohe nuk kishte asnjë dilemë se “çfarë duhet bërë me Ballkanin”, por se “cilat janë politikat e duhura që Ballkani të arrijë pjesën tjetër të Evropës dhe të anëtarësohet në BE”.
Njëzet vjet nga Samiti i Selanikut, anëtarësimi i vendeve të rajonit në BE mbetet një premtim i papërmbushur. Vetëm Kroacia ia doli të jetë pjesë e BE-së dhe që prej fillimvitit pjesë e eurouonës dhe Shengen. Ndërkohë që askush nuk është në gjendje të thotë se kur vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të jenë pjesë e BE-së. Procesi i anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor është karakterizuar nga paqartësi dhe angazhime të lëna në gjysmë të rrugës.
Kjo është demonstruar qartë sidomos pas krizës financiare të vitit 2008 dhe krizës së refugjatëve të vitit 2015, të cilat dominuan narrativën politike në një pjesë të mirë të vendeve anëtare të BE-së, duke nxjerr në sipërfaqe edhe dallimet bazuar në kontributet financiare (ndërmjet veriut dhe jugut të Evropës) dhe vlerave e botëkuptimit për liritë dhe të drejtat themelore (ndërmjet perëndimit dhe lindjes së Evropës).
Pavarësisht instrumenteve të ofruara nga Samiti i Selanikut (programet për mbështetjen financiare dhe teknike; trajtimin e të gjitha vendeve të rajonit me të njëjtin trajtim si vendet kandidate të asaj kohe për anëtarësim në BE; procesin e liberalizimit të vizave) marrëdhëniet e BE-së në Ballkanin Perëndimor rrallë kanë qenë në rrugën e konvergjencës ekonomike dhe transformimit të njëmendtë demokratik. Nga njëra anë, vendet e BE-së vijuan të konfirmojnë “perspektivën evropiane” të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por pa një afat konkret anëtarësimi.
Nga ana tjetër, këto të fundit kanë vijuar me gjysmë reformat, duke mos demonstruar pronësi mbi to. Për pasojë, u krijua një “zonë rehatie”, ku të dyja palët pretendonin se po u përmbaheshin zotimeve, ndërkohë që procesi i zgjerimit pushoi së qeni magnet transformimi demokratik dhe zhvillimi ekonomik e social për vendet e rajonit. Mirëpo, pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë i dha zgjerimit të BE-së një frymë dhe dimension tjetër, duke u dhënë përparësi çështjeve të sigurisë.
Akordimi i statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE për Ukrainën dhe Moldavinë janë mesazhe politike që sinjalizojnë se BE-ja do të shtrihet në kufi me Rusinë. Lufta që po zhvillohet në kontinent nuk krijon më mundësi për “shtete me status neutral”, e as për zbatim të Procesit të Helsinkit, i cili u hartua në 1975 me qëllim ndërtimin e një arkitekture të përbashkët të sigurisë në Evropë me Bashkimin Sovjetik të dikurshëm.
Me Rusinë e sotme kjo është e pamundur. Po kështu, nisja e bisedimeve për anëtarësim në BE nga ana e Shqipërisë dhe e Maqedonisë së Veriut, akordimi i statusit të vendit kandidat për në BE për Bosnje Hercegovinën dhe vendimi për liberalizimin e vizave me Kosovën, janë vendime të cilat duhen lexuar në sfondin e mjedisit të ri të sigurisë në Evropë dhe që mund të interpretohen si “zgjim” i procesit të zgjerimit nga “gjendja klinike”. Vështruar në këtë kontest, pyetja se “cilat janë mjetet e duhura të politikave që Ballkani të arrijë pjesën tjetër të Evropës dhe të futet në BE” mbetet njësoj e vlefshme, edhe pse kanë kaluar dy dekada nga Samiti i Selanikut.
Pesë janë sfidat e ndërlidhura me njëra-tjetrën, të cilat duhen adresuar në funksion të stabilitetit demokratik, mirëqenies dhe anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE. Së pari, niveli i demokracisë dhe i sundimit të së drejtës. Edhe pse zbatimi i reformave në kuadër të integrimit në BE duhet të përmirësojë nivelin e demokracisë dhe të ndihmojë në forcimin e shtetit të së drejtës, situata në Ballkanin Perëndimor nuk e vërteton plotësisht këtë. Në të kundërt, bazuar në vlerësimet e organizatave ndërkombëtare që monitorojnë zhvillimet demokratike, vihet re një “rrëshqitje demokratike” në vitet e fundit, me përjashtim të Kosovës. Suksesi i reformave në fushën e sundimit të së drejtës është i lidhur me suksesin ekonomik dhe të ardhurat e individit.
Duke pritur jashtë dyerve të BE-së, rritja ekonomike e vendeve të Ballkanit Perëndimor është ngadalësuar. Besimi se sistemet demokratike do të sjellin vetvetiu transformim është tulatur. Kësisoj, përparimi drejt BE-në nuk është në raport të drejtë me fuqizimin e shtetit të së drejtës. Pavarësisht ndryshimit në metodologjinë e zgjerimit në vitin 2020 që synonte shoqërimin e progresit në reforma me përfitime të prekshme dhe kthimin mbrapa në mungesë të rezultateve, BE-ja nuk ka qenë në gjendje të demonstrojë në Ballkanin Perëndimor as lidhjen ndërmjet reformave e përfitimeve, dhe as koston për ngecjen e reformave ose kthimin mbrapa.
Për pasojë, elementi nxitës për një garë të vërtetë mes vendeve të rajonit se cili prej tyre reformohet më shpejt e në mënyrë të pakthyeshme mungon. Duhet pranuar se në këtë pikë BE-ja përballet me sfida të brendshme. Edhe pse vlerat janë gurë themeli për funksionimin e BE-së, shpesh është vënë në pikëpyetje mekanizmi dhe mënyra se si respektohen këto vlera brenda BE-së. Polonia dhe Hungaria, dikur histori suksesi politik dhe ekonomik për sa i përket transformimit demokratik, rritjes ekonomike dhe integrimit të plotë në BE, sot shihen me spekticizëm nga një pjesë e vendeve anëtare dhe janë nën procedim disiplinor nga vetë BE-ja, për çështje që lidhen me sundimin e së drejtës.
Duke pasur parasysh shqetësimet ekzistuese për sundimin e së drejtës dhe faktin që vende si Polonia e Hungaria janë mbështetëse të zjarrta të zgjerimit të BE-së, nuk përjashtohet mundësia që disa prej vendeve anëtare të BE në perëndim ta shohin me shqetësim një aleancë të tyre me vendet e Ballkanit Perëndimor nesër në BE, në rast se çështjet e sundimit të së drejtës nuk adresohen plotësisht dhe në kohën e duhur nga këto vende. Së dyti, mosmarrëveshjet dypalëshe dhe konfliktet e papërfunduara. Një mori mosmarrëveshjesh dypalëshe që kanë të bëjnë me projektet e papërfunduara të shtetësisë; çështjet identitare; çështjet e kufijve; pakicat; procesin e pajtimit, bartin një potencial të lartë për destabilitet rajonal dhe kriza ciklike.
Këto mosmarrëveshje shfrytëzohen nga fuqi të huaja në funksion të agjendave përçarëse në rajon. Por, edhe nga vende si Serbia në lidhjen e aleancave ndërkombëtare dhe moslinjëzimin me qëndrimet dhe vendimet e BE-se në politikën e jashtme dhe në çështjet e sigurisë. Rasti i Qipros tregon vështirësitë e pranimit të një vendi anëtar në BE me mosmarrëveshje territoriale. Qiproja u anëtarësua në BE në vitin 2004 pavarësisht se territori i saj ishte i ndarë dhe pa qeverisje efektive mbi dy komunitetet. Vendimi për anëtarësimin e Qipros në BE u nxit falë përpjekjeve të Greqisë dhe zellit që mbizotëronte për domosdoshmërinë e procesit të zgjerimit.
Në të njëjtën kohë, ky vendim përkoi me periudhën e përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet Turqisë dhe BE-së dhe me shpresën se Turqia do të bëhej gjithashtu pjesë e BE-së. Thuajse dy dekada nga anëtarësimi i Qipros në BE, konflikti është larg përfundimit. Konflikti minon funksionimin e Bashkimit Doganor të BE-së me Turqinë, paraqet një pengesë të rëndësishme për bashkëpunimin BE-NATO dhe për sigurinë në Mesdheun Lindor. Moszgjidhja e konfliktit kontribuon gjithashtu në bllokimin institucional midis Turqisë dhe BE-së, për shkak të pozicionit të çimentuar të Qipros sa herë që diskutohet marrëdhënia e BE-së me Turqinë.
Me pranimin e Qipros në BE, përpara zgjidhjes së mosmarrëveshjes, kjo e fundit humbi ndikimin e saj në gjetjen e një zgjidhje të pranuar nga të gjithë palët. Uniteti, koherenca dhe vendosmëria e demonstruar nga BE-ja si përgjigje ndaj agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, duhet të dëshmohet edhe për çështje kyçe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Edhe pse në kushte krejt të reja për sa i përket mjedisit të sigurisë në Evropë, pesë shtete anëtare të BE-së ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Lëvizja e tyre drejt njohjes do të shtonte shanset e zbatimit të planeve evropiane për rajonin. Në të njëjtën kohë, do të rriste presionin ndaj Serbisë për të njohur realitetin e pasluftës në ish-Jugosllavi dhe për të ecur në drejtim të rrugës evropiane. Për shtetësinë e Malit të Zi, BE-ja ishte e bashkuar. Madje, ajo luajti një rol të rëndësishëm ndërmjetësues në përgatitjen e kushteve për referendumin e pavarësisë së vendit. Plani i Zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit që u finalizua në Ohër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e vendos BE-në jo vetëm në pozicionin e ndërmjetësuesit, por edhe të përfshirë drejtpërdrejt në zbatimin e angazhimeve të palëve.
Proces ky i ndërlidhur me anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në BE. BE-ja duhet të projektojë vizion, fuqi, dhe vullnet për ta materializuar shtetësinë e Kosovës dhe evropianizimin e Serbisë, duke shmangur realizimin e interesave afatshkurtër transaksionale që nuk prodhojnë zgjidhje të qëndrueshme dhe stabilitet demokratik afatgjatë. Fokusi i ri gjeopolitik i Evropës duhet të bëjë të mundur përfundimin e këtij konflikti dhe njëkohësisht ankorimin e të dyja vendeve në BE.
Përqafimi i një qasjeje aktive nga BE-ja në rajon do të çimentonte rolin e saj si një aktor efektiv në tejkalimin e mosmarrëveshjeve dhe adresimin e tyre në një plan më të gjerë evropian. Njëkohësisht, do të garantonte një proces anëtarësimi të vendeve të rajonit në BE, të bazuar në merita dhe jo të eklipsuar nga mosmarrëveshjet e mësipërme. Së treti, hendeku zhvillimor i rajonit me mesataren e BE-së. Ballkani Perëndimor vijon të mbetet i pazhvilluar krahasuar me mesataren e vendeve të BE-së, por edhe me vendet më të varfra të bllokut. PBB i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është afërsisht i barabartë me atë të Sllovakisë, ose më pak se 1% i asaj të BE-së.
Pavarësisht përfitimeve ekonomike që kanë sjellë nisma të ndryshme rajonale apo potenciali që bart Tregu i Përbashkët Rajonal, i krijuar në kuadër të Procesit të Berlinit, zhvillimi ekonomik i rajonit mbetet i kufizuar, pasi Ballkani Perëndimor varet nga tregtia dhe investimet e huaja me origjinë nga BE-ja, në një masë më të madhe sesa nga tregtia midis vendeve të rajonit. Situata do të ishte ndryshe nëse BE-ja do ta trajtonte Ballkanin Perëndimor me të njëjtin solidaritet siç trajton të prapambeturit ekonomik brenda saj, shumica prej tyre fqinje të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Mënyra më e mirë për të përmirësuar bashkëpunimin në rajonin tonë është zbatimi i politikave që synojnë rritjen e të ardhurave individuale.
Për shembull, transfertat nga buxheti i BE-së tek anëtarët në Evropën Qendrore e Lindore konsiderohen faktori kryesor shtytës i rritjes së të ardhurave individuale. BE-ja mbështet financiarisht vendet e rajonit dhe është përpjekur të harmonizojë kontributin e saj me atë të aktorëve të tjerë ndërkombëtar përmes miratimit të Planit Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor në vitin 2020. Presidentja e Komisionit Evropian ka njoftuar një rritje të mëtejshme të financimit të para-anëtarësimit si pjesë e Planit të Ri të Rritjes së Komisionit për Ballkanin Perëndimor.
Mbetet për t’u parë nëse kjo rritje synon konvergjencën ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në. Konvergjenca ekonomike gjeneron stabilitet politik, institucional dhe makroekonomik, veçanërisht për vendet me histori politike të trazuara ose demokraci të reja. Vendet që u bashkuan me BE-në pas vitit 2004 kanë hyrë në një cikël të shëndetshëm të rritjes ekonomike, e cila është shoqëruar me forcimin e pozitës së klasës së mesme, reduktimin e korrupsionit dhe konsolidimin e institucioneve demokratike. Politika e konvergjencës ka ndihmuar në krijimin e një mjedisi më të përshtatshëm për biznesin, çka është vendimtar për tërheqjen e investimeve të huaja.
Një përfshirje e vendeve të Ballkanit Perëndimor në skemën e fondeve strukturore të BE-së, politikave të përbashkëta bujqësore apo fondeve të Gjeneratës së Ardhshme të BE-së, do të përfaqësonte një mundësi ekonomike të ngjashme me Planin Marshall të pas Luftës së Dytë Botërore. Pasi përmes këtyre fondeve mund të përmirësohet dhe modernizohet infrastruktura e rëndësishme dhe rrjetet kritike, duke i vendosur vendet e Ballkanit Perëndimor në hartën e ndërlidhshmërisë evropiane.
Për të përfituar nga politikat e mësipërme të BE-së vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të garantojnë zbatimin e normave evropiane në fushën e prokurimit publik dhe konkurrencës, sikundër të përmirësojnë parametrat dhe indikatorët matës të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Së katërti, kufizimet e bashkëpunimit rajonal. Megjithëse bashkëpunimi rajonal është pjesë e rëndësishme e procesit të integrimit evropian, potenciali i tij është i kufizuar.
Mosmarrëveshjet dypalëshe, jo vetëm midis vendeve të rajonit por edhe midis tyre dhe vendeve të BE-së, kanë ndikuar në ngadalësimin e bashkëpunimit, rikthimin ciklik të tensioneve si dhe në ngecjen e procesit të integrimit evropian. Për më tepër, siç ka treguar eksperienca e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, bashkëpunimi rajonal u rrit më shumë pasi këto vende u bënë anëtare të BE-së. Një mënyrë për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik do të ishte pranimi i vendeve të rajonit në tregun e brendshëm të BE-së.
Presidentja e Komisionit Evropian ka premtuar se do ta afrojë Ballkanin Perëndimor me tregun e brendshëm të BE-së. Kjo ide, nëse shoqërohet me hapa thelbësor, nuk synon të varrosë procesin e anëtarësimit në BE, por të përfshijë një politikë të përkohshme në këtë rrugëtim. Përfshirja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e brendshëm të BE-së, në varësi të përmbushjes së reformave nga ana e tyre, do të kishte efekte praktike të jashtëzakonshme për qytetarët e rajonit, të cilët do të gëzonin frytet e “katër lirive” (lëvizja e mallrave, personave, shërbimeve dhe kapitalit) brenda BE-së, para anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE.
Në këtë mënyrë BE-ja zgjeron hapësirën në të cilën zbatohen rregullat e saj duke ushtruar një ndikim të madh në rajon, të pakrahasueshëm me atë të fuqive të tjera. Shtrohet pyetja se si mund ta përballojnë presionin e konkurrencës vendet e Ballkanit Perëndimor në tregun e brendshëm të BE-së? Përgjigjja e kësaj pyetje është tek zbatimi i politikave zhvillimore dhe transformimi i suksesshëm i vendeve Baltike apo vendeve të Vishegradit në momentin e anëtarësimit në BE dhe tek fakti se anëtarësimi në tregun e brendshëm të BE-së është i lidhur ngushtë me reformat e sundimit të së drejtës në ekonomi.
Bashkëveprimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të orientohet vetëm nga eksperiencat e së shkuarës në procesin e zgjerimit, por edhe rreth sfidave të së ardhmes. Në këtë kontekst, BE-ja duhet të ofrojë instrumentet e përshtatshme për përfshirjen graduale të rajonit në tregun digjital, nxitjen e politikave të produktivitetit që bazohen në ekonominë e dijes dhe në përmbushjen e parametrave për një Evropë të gjelbër. Së pesti, kërcënimi demografik. Ndërkohë që thelbi i procesit të integrimit evropian është ndërtimi i një jete më të mirë për vendet që synojnë anëtarësimin në BE, vendet e rajonit po përballen me largim masiv të qytetarëve drejt BE-së, për një jetë më të mirë e me dinjitoze.
Për të inkurajuar qytetarët për të mos e braktisur rajonin, nuk mjaftojnë vetëm marrëveshjet për njohjen e ndërsjellë të diplomave dhe kualifikimeve profesionale të përmbyllura në kuadër të Procesit të Berlinit, megjithë vlerën e pamohueshme të tyre në një plan afatgjatë anëtarësimi të mundshëm në BE. Për profesionistët nga rajoni është më e leverdishme të zgjedhin veriun e Evropës sesa një nga vendet e Ballkanit Perëndimor që ofron pak a shumë të njëjtin standard jetese. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përqafojnë politikat e mirëqenies që lidhen me investimet dhe mundësitë në arsim, shëndetësi dhe strehim, duke krijuar një terren më të përshtatshëm për një jetë më dinjitoze.
Nga ana tjetër, trajtimi i Ballkanit Perëndimor si pjesë e BE-së përmes skemave financiare për shtresat më të prirura për t’u larguar është një mënyrë efektive për të zbutur hendekun zhvillimor, frenuar sadopak fenomenin e shpopullimit dhe parandalimin e kthimit të rajonit në një rezervuar burimesh njerëzore për nevojat e tregut të punës në BE.
Një prej etërve themelues të Bashkimit Evropian, Jean Monnet, thoshte se, krizat duhen shfrytëzuar si mundësi transformimi për BEnë. Ajo që shohim sot me pushtimin rus të Ukrainës, përveçse një krizë e paprecedentë që nga Lufta e Dytë Botërore, është një mundësi për udhëheqësit evropian që të mendojnë se si ta bëjnë të pamundur luftën në Evropë, e të krijojnë një Evropë më të fortë.
Pra, në kuptimin e vërtetë të fjalës, është momenti i Jean Monnet për Evropën. Është çasti ku mund të argumentohet se është më e vështirë një BE me më shumë anëtarë edhe në mënyrën e të vepruarit edhe në kuptimin financiar, por përparësitë janë më të mëdha. Pasi një gjë e tillë do ta bënte luftën të pamendueshme, do të krijonte një hapësirë të madhe me një treg të vetëm, pa pengesa ndërmjet shteteve dhe qytetarëve, dhe një Evropë më të fortë që adreson pasojat e përfundimit të luftërave në ish-Jugosllavi dhe agresionin në lindje të kontinentit.
Momenti ku gjendet Evropa tani është një dritare mundësie për një shtytje të re drejt zgjerimit të BE-së, për arsye gjeostrategjike, si dhe një sinjal fuqie që tregon se BE-ja është e aftë dhe e gatshme të ripërtërihet, të rritet dhe të promovojë vlerat e saj kundrejt fuqive konkurruese. Diskutimi i zgjerimit është i lidhur në një mënyrë a tjetër me diskutimet dhe idetë për reformimin e BE-së. Historikisht, procesi i thellimit dhe zgjerimit të BE-së kanë ecur dora dorës.
Ndërlidhja e dy proceseve vërtetohet edhe nga fakti se kanë kaluar 16 vjet që nga nënshkrimi i Traktatit të Lisbonës, periudha më e gjatë që BE-ja ka kaluar pa një traktat të ri. Duke përballuar kështu krizën financiare, atë të refugjatëve, Brexit, dhe pandemisë përmes shfrytëzimit të hapësirave ekzistuese që ofron Traktati i Lisbonës. Pra, pa u zgjeruar dhe pa u thelluar. Një traktat i ri mund të mos jetë domosdoshmërisht i nevojshëm për anëtarësimin e anëtarëve të rinj pasi vendeve që do të anëtarësohen minimalisht u kërkohet të nënshkruajnë traktatet ekzistuese të BE-së dhe, më e rëndësishmja, të pranojnë acquis-in e BE-së. Megjithatë, një traktat i ri ka të ngjarë të nevojitet për arsye praktike dhe politike.
Kjo është arsyeja pse zgjerimet e mëparshme janë lidhur me ndryshimet e traktateve. Më i rëndësishëm se debati për thellimin përkundrejt zgjerimit të BE-së është vizioni dhe vullneti për transformimin e krizës ekzistuese në një mundësi zhvillimi e transformimi, në gjurmët e Jean Monnet. Megjithëse BE-ja nuk është një fuqi ushtarake, ajo mund të thellojë ndikimin e saj si një fuqi normative përmes procesit të zgjerimit. Në këtë kontekst, BE-ja duhet të demonstrojë përkushtim në Ballkanin Perëndimor duke korrigjuar gabimet dhe dobësinë e shfaqur në të shkuarën. Për të prodhuar suksesin e dëshiruar procesi i anëtarësimit në BE duhet ndërlidhur me agjendën zhvillimore dhe me një afat të përcaktuar për anëtarësimin e vendeve të rajonit në BE. /Fondacioni “Friedrich Ebert”/