Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Podujevës kanë nënshkruar sot (e shtunë) Memorandumin e Bashkëpunimit, përmes të cilit do të realizohet një investim prej dy milionë eurosh për renovimin e Stadiumit të Qytetit.

Sipas MKRS, ky projekt madhor synon modernizimin e plotë të infrastrukturës sportive, duke krijuar kushte më të mira për sportistët, klubet dhe komunitetin lokal.


Punimet thuhet se do të zhvillohen sipas standardeve bashkëkohore të arkitekturës dhe inxhinierisë, duke e kthyer stadiumin në një hapësirë funksionale, të sigurt dhe bashkëkohore.

Projekti, ndër të tjera, parasheh ndërtimin e tribunës lindore, vendosjen e mbulesës në tribunat ekzistuese dhe ndriçimin e Stadiumit "Zahir Pajaziti" në Podujevë.

Ky investim thuhet se përfaqëson një hap të rëndësishëm në mbështetjen e sportit dhe zhvillimit të aktiviteteve sportive në Podujevë, si pjesë e përkushtimit të MKRS për përmirësimin e infrastrukturës sportive në gjithë vendin.

Memorandumi u nënshkrua nga Sekretari i Përgjithshëm i MKRS, Bislim Bislimi, dhe Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

telegrafi sport app