Site icon Telegrafi

Ministria e Transportit: Hiqet homologimi për automjetet e reja

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, njofton qytetarët se duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, ka filluar procedurat e liberalizimit të procesit të homologimit.

Në kuadër të kësaj, ministria informon se ka marrë vendim që veturat e reja, të importuara nga kompanitë e licencuara, nuk do t’i nënshtrohen më homologimit nga kompania e autorizuar për kryer atë.

“Për verifikimin e të dhënave nga prodhuesit, përgjegjës do të jenë kompanitë e autorizuara për shitjen e tyre në tregun e Kosovës. I njëjti verifikim do të vlejë edhe për blerësit kur kryejnë regjistrimin e veturave. Ky është një hap i ndërmarrë nga ministri Pal Lekaj, drejt lehtësimit të procedurave dhe uljes së kostos të cilën duhet të paguajnë qytetarët”, thuhet në njoftimin e ministrisë, përcjell Telegrafi.

Po ashtu, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e ka mirëpritur vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës që të anulohet homologimi për veturat e reja të importuara.

Përmes një reagimi në faqen zyrtare të Facebook, BE ka shkruar se kjo po shihet si hap i duhur për heqjen e barrierave për tregti që janë të dëmshme për konsumatorët e Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version