Ministri në qeverinë e Merkel: “Korrigjimi” i kufijve Kosovë-Serbi nuk zgjidh asnjë problem

Ideja për “korrigjimin” e kufijve, e shpalosur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq po has në kundërshtime të ndryshme.
Dhe një i fundit ka ardhur edhe nga njëri prej bashkëpunëtorëve të kancelares gjermane, Angela Merkel.
Bëhet fjalë për ministrin e Shtetit për Evropën në Zyrën e Jashtme Federale Gjermane në qeverinë e kancelares Angela Merkel, Michael Roth, i cili ka thënë se “korrigjimi” i kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të zgjidhte ndonjë problem.
Madje, sipas tij, përcjell Telegrafi, një veprim i tillë do të hapte “Kutinë e Pandorës” për armiqësi etnike.
“Të nderuar miq në Kosovë dhe Serbi. Ridefinimi i kufijve nuk do të zgjidhë ndonjë problem. Një veprim i tillë do të hapte kutinë e Pandorës për armiqësi etnike. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është vetëm multietnike, multifetare dhe multikulturore. Të bashkuar në diversitet. Kjo është Evropa”, ka shkruar Roth në Twitter. /Telegrafi/




















































