Ministri i Mbrojtjes i Izraelit u thotë ushtarëve të tij se së shpejti do ta shohin Gazën "nga brenda"

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, u ka thënë trupave të mbledhura jo shumë larg Rripit të Gazës të enjten se ata "së shpejti do ta shohin" enklavën "nga brenda", sipas një njoftimi për shtyp nga zyra e tij.
"Ju e shihni Gazën tani nga një distancë, së shpejti do ta shihni nga brenda. Urdhri do të vijë", tha ai, sipas njoftimit, përcjell Telegrafi.
Deklarata e tij vjen pas asaj të kryeministrit Benjamin Netanyahu, i cili në një vizitë të veçantë në një zonë në kufi me Rripin e Gazës të enjten, u tha trupave të vendosura atje: "I gjithë kombi i Izraelit qëndron pas jush dhe ne do t'i japim goditjen e fortë armiqve tanë në mënyrë që të arrijmë fitoren. Për fitore! Gati?".
Gjithashtu të enjten, oficeri komandues i Komandës Jugore të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, gjeneralmajor Yaron Finkelman, u tha trupave në një pjesë tjetër të kufirit: "Kjo manovër do ta zhvendosë luftën në anën e armikut dhe ne do të fitojmë në terrenin e tyre. Kjo do të jetë e gjatë, e vështirë, intensive, por ne kemi komandantët dhe luftëtarët më të mirë që IDF ka për të ofruar".
Deklaratat e tyre vijnë pas asaj të ambasadorit të Izraelit në Kombet e Bashkuara i cili tha se Izraeli "nuk ka interes" për të pushtuar Gazën, por do të bëjë "çfarëdo që të nevojitet" për të eliminuar Hamasin.
Ndërkohë sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres bëri një apel urgjent të enjten për një armëpushim humanitar midis Hamasit dhe Izraelit.
Ai bëri thirrje për "lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të pengjeve" të kapur nga Hamasi gjatë sulmit të tij më 7 tetor në Izrael.
Guterres, i cili ndodhet në Kajro, Egjipt, i bëri thirrje gjithashtu Izraelit që të lejojë "qasjen e menjëhershme të pakufizuar të ndihmës humanitare për t'iu përgjigjur nevojave më themelore të popullit të Gazës". /Telegrafi/



































