Këngëtarja e njohur shqiptare, Genta Ismajli, është mirëpritur së fundmi në një takim, të mbajtur në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në Prishtinë.
Ministri ende në detyrë i kësaj ministrie, Shyqiri Bytyqi, ka mirëpritur këngëtaren gjilanase në zyrën e tij, për të diskutuar rreth gjendjes aktuale të arsimit në vend, si dhen një projekti të përbashkët mes tyre që do të nisë së shpejti.
Ishte vet këngëtarja Ismajli, ajo e cila publikoi në InstaStory një fotografi të realizuar gjatë takimit të sotëm me ministrin.
“Kënaqësi të isha në takim sot me Ministrin e MAShT, Z.Shyqiri Bytyqi me projekte të reja, së shpejti”, ka shkruar Genta në mbishkrimin e fotografisë.
Ndërkohë, Ministri Bytyqi në një shkrim të publikuar në Facebook bëri të ditur se arsyeja e mikpritjes së këngëtares në zyre, ishte nisja e një projekti të përbashkët për të ndaluar bullizmin tek fëmijët nëpër shkolla.
“Prita sot në takim artisten dhe këngëtaren Genta Ismaili, me të cilën diskutuam mundësinë e inicimit të projektit kundër gjuhës ngacmuese të fëmijëve nëpër shkolla. MAShT mikëpret projekte të tilla të cilat kanë për qëllim vetdijësimin e fëmijëve dhe të rinjëve kundër dhunës, dhe njëherit përgëzon znj.Ismaili për iniciativën e këtij projekti”, ka shkruar Shyqiri Bytyqi në Facebook.
Genta Ismajli përndryshe njihet si njëra ndër këngëtaret më atraktive të skenës, e cila me vite i ka rezistuar kohës duke qenë gjithnjë e pëlqyer për publikun. /Telegrafi/