Milani dhe Napoli luajnë baras në derbin e javës në Serie A

Milani dhe Napoli kanë luajtur baras 0-0 në ndeshjen derbi të javës së 21-të në Serie A.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja skuadrat, të cilët patën edhe nga një rast të mirë.
Rasti i parë në ndeshje i takoi mysafirëve, të cilët rrezikuan me anë të Jose Callejon (6'), por goditja e spanjollit u prit nga Gianluigi Donnarumma.

Për Milanin rast të mirë pati Patrick Cutrone (10'), goditja e të cilit shkoi shumë pranë shtyllës.
Në pjesën e dytë, gjithashtu u zhvillua ndeshje e barabartë, por me të dy skuadrat që ishin më kërkuese dhe krijuan më shumë raste.
Te Milani rrezikuan Franck Kessie (49'), goditja e të cilit u bllokua nga mbrojtësit dhe Matteo Musacchio (79'), pati rastin më të mirë, por goditja e tij nga afërsia u ndal nga portieri David Ospina.

Napoli pati raste me anë të Arkadiusz Milik (65'), Piotr Zielinski (67', 88'), por edhe goditjet e tyre u priten nga Donnarumma dhe ndeshja përfundoi pa gola 0-0.
Pas këtij barazimi, Milani e sheh veten në pozitën e katërt me 34 pikë, ndërsa Napoli i dyti me 47 pikë.
Në ndeshjen e radhës, Napoli e pret Sampdorian, ndërsa Milani udhëton te Roma. /Telegrafi/



















































