Microsoft sapo njoftoi për telefonin e palosshëm - arsyet pse Surface Duo mund të jetë fitues në mesin e smartfonëve

Kompania Microsoft ka bërë të ditur se do të kthehet në tregun e telefonisë mobile, me smartfonin Surface Duo.
Smartfoni i ri do të jetë një pajisje e palosshme, me dy ekrane që kanë nga 5.6 inç, derisa do të funksionojë nëpërmjet sistemit të personalizuar të Android OS të Google, transmeton Telegrafi.
Derisa është bërë e ditur se lansohet deri në fund të vitit 2020, nuk është treguar çmimi që mund të ketë. Inxhinierët e kompanisë janë ende duke punuar në sistemin e harduerit të telefonit të palosshëm, për t’ia lehtësuar sa më shumë zhvilluesve të aplikacioneve, që të punojnë sisteme softuerike për të dy ekranet.
Me Surface Duo, Microsoft rikthehet në tregun e smartfonëve, pas lënies së Windows Phone, vetëm se këtë herë telefoni do të funksionojë me Android dhe jo me sistemin e mëparshëm.
Janë tri arsye kryesore, që gazetari i Business Insider, Peter Newman mendon se Surface Duo është model fitues në mesin e smartfonëve dhe se do të ketë shumë sukses.
Christiano Maon është presidenti i Qualcomm, që gjatë një bisede me Business Insider Intelligence, ka thënë se “është optimist në telefonat e palosshëm, sepse ekrani është një faktor shumë i kufizuar”, derisa pajisjet e palosshme do e bënin shumë më të lehtë përcjelljen e medieve, luajtjen e video-lojërave dhe kryerjen e punëve.
Mirëpo, është treguar se përsosja e kësaj teknologjie është shumë sfiduese: Për shembull, Galaxy Fold i Samsung është vonuar shumë, për shkak të ndjeshmërisë së madhe ndaj dështimit, gjë që kërkoi ndryshime të mëdha në këtë pajisje.
Surface Duo e Microsoft, nuk është aq ambicioze sa telefoni i Samsung me 7,3 inç, madje mund të ketë edhe përparësi - do të jetë një pajisje e thjeshtë për ta prodhuar, ndërsa nuk pritet të del në treg me çmim të shtrenjtë, sikurse Galaxy Fold që kushton 1,800 euro.
Kjo do të thotë se pajisja mund të paloset në tërësi, derisa mundëson përdorimin e vetëm një ekrani, apo të hapet pjesërisht, në modalitetin e peizazhit, që në thelb të jetë një laptop miniaturë. Në këtë formë do të lehtësohet përdorimi, pasi përdoruesi njërin ekran mund ta shfrytëzojë për të rishikuar ndonjë dokument, derisa në tjetrin merret me ndonjë aplikacion apo shkruan mesazh.
Megjithëse Surface Duo konsiderohet si alternativa më e mirë në treg, si mangësi mund të konsiderohet mungesa e një ekrani në pjesën e pasme, që do të ofronte njoftime elementare, si dhe një kamerë të pasme që nuk është në nivelin e duhur.
Pritet që Microsoft t’i adresojë këto shqetësime, derisa ata që duan një telefon që iu ofron të kryejnë sa më shumë veprime njëherësh, atëherë dobësi i tejkalojnë përparësitë që i ka ky telefon.
Surface Duo do të bëjë ndryshim kursi, meqë Microsoft pranon se nuk do të prishë bashkëpunimin Apple-Google OS. Për dallim prej kësaj, klientët dhe ndërmarrësit do të ketë mundësi të shfrytëzojnë një sistem të personalizuar të Android, të ngjashme me produktet e popullarizuara të Windows, si Office dhe shërbimi i video-lojërave xCloud.
Në të njëjtën kohë, shfrytëzuesit e Android do të përdorin të njëjtat aplikacione që janë sot, gjë që nënkupton se nuk do të humbin asgjë. /Telegrafi/












































