Mici rikthehet në futbollin e Maqedonisë, tani me fanellën e Strugës

Gledi Mici, është përforcimi më i ri i ish-kampionit të Maqedonisë së Veriut. Pas aventurave me Shkëndijën, Prishtinën dhe së fundmi Tiranën, 34-vjeçari rikthehet në elitën e Maqedonisë, njofton Telegrafi.
Struga Trim Lum ka bërë goditjen e radhës në afatin kalimtar të verës, duke zyrtarizuar afrimin e mbrojtësit të majtë me eksperiencë, Gledi Mici. Futbollisti 34-vjeçar vjen për të shtuar cilësinë dhe qëndrueshmërinë e mbrojtjes së skuadrës që synon një tjetër sezon të suksesshëm.
Mici nuk është emër i panjohur për futbollin në Maqedoninë e Veriut, pasi më parë ka qenë pjesë e Shkëndijës së Tetovës, ku spikati me paraqitje solide. Më pas, ai vijoi karrierën me Prishtinën në Kosovë dhe së fundmi ishte pjesë e Tiranës në elitën shqiptare.
Me një përvojë të madhe, afrimi i Micit shihet si një lëvizje e zgjuar nga drejtuesit e Strugës, të cilët po ndërtojnë një skuadër me balancë mes rinisë dhe përvojës.
Për trajnerin Bledi Shkëmbi, i cili ka punuar me Micin te Tirana, ardhja e tij pritet të sjellë qetësi, profesionalizëm dhe stabilitet në fazën mbrojtëse. /Telegrafi/


















































