Michelle Obama, ish-Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, ka reaguar përmes një postimi emocional në Instagram, duke hedhur poshtë spekulimet për një ndarje të mundshme nga bashkëshorti i saj, Barack Obama. Ajo publikoi një fotografi familjare me rastin e 24-vjetorit të ditëlindjes së vajzës së tyre më të vogël, Sasha.

“Gëzuar ditëlindjen vajzës sime të ëmbël, Sasha! Nuk mund të besoj sa shpejt ka kaluar koha. Jam shumë krenare për gruan që je bërë. Të dua përgjithmonë!”, ka shkruar Michelle krah fotografisë ku shihen të gjithë anëtarët e familjes Obama.


Sasha aktualisht jeton në Los Angeles së bashku me motrën e saj më të madhe, Malia, pasi përfundoi studimet në sociologji në Universitetin e Kalifornisë Jugore.

Publikimi i kësaj fotografie vjen vetëm disa muaj pasi në media nisën të qarkullojnë thashetheme për probleme martesore mes çiftit Obama. Spekulimet u nxitën nga mungesa e Michelle në disa ngjarje publike me peshë, përfshirë ceremoninë mortore të ish-presidentit Jimmy Carter dhe inaugurimin e Donald Trumpit – mungesa që u interpretuan nga disa si shenja të një ndarjeje të mundshme.

Në një intervistë për podcast-in The Diary of a CEO, Michelle u shpreh qartë rreth këtyre thashethemeve: “Po të kisha probleme me bashkëshortin, do ta kishin marrë vesh të gjithë.” Ajo tregoi gjithashtu se ka nisur terapi për të përballuar më lehtë, siç tha ajo, “një fazë të re të jetës”.

Michelle pranoi se martesa me Barackun nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, por theksoi se lidhja e tyre është e fortë dhe e qëndrueshme. “Bukuria e martesës sonë qëndron në faktin se asnjëri prej nesh nuk e ka pasur ndonjëherë synim të dorëzohet. Thjesht nuk është në natyrën tonë. Unë e di këtë për të, dhe ai e di për mua”, tha ajo. “Nuk do ta ndërroja për asgjë. Ai është njeriu im”.

Përveç Sashës, familja Obama ka edhe një vajzë tjetër, Malian, e cila së fundmi ka nisur të prezantohet me emrin Malia Ann, në nder të gjyshes së saj, nënës së Barackut – Ann Dunham. /Telegrafi/