LAJMI I FUNDIT:

Mësim online apo improvizim

Mësim online apo improvizim

Në Maqedoninë e Veriut, procesi mësimor në shkolla e universitete tashmë u zhvendos në online. Andaj, ndjej se të gjithë kemi përgjegjësi të përbashkët për të ofruar shpjegim për situatën aktuale, si dhe të ndihmojmë ta trasojmë rrugën përpara, me qëllim që të sigurojmë që të gjithë nxënësit dhe studentët të marrin arsimimin e kohës në të cilën jetojmë.

Ajo që sot shohim në shkollat publike në vendin tonë, nuk është mësimdhënie online, por përkundrazi, siç e quan Natalie B. Milman, është “mësimdhënie emergjente në distancë”. Disa studiues tjerë të arsimit e kanë quajtur këtë “pedagogji pandemike”. Mësimdhënia nuk paraqet veç një transaksion të njohurive nga një person tek tjetri. Mësimdhënia gjithashtu, nuk paraqet transaksion të njohurive nga mësimdhënësi tek një grup studentësh gjatë një lidhje të thjeshtë me video konferencë. Në të kundërtën, mësimdhënia e mirëfilltë paraqet një kombinim të një numri të resurseve të ofruara, përmes një larmie metodash të adaptuara për grupe të ndryshme të nxënësve apo studentëve. E gjithë kjo duhet t’ju ofrohet atyre me dashuri, me kujdes dhe empati nga mësimdhënësi dhe shkolla. Nëse një mësimdhënës nuk arrin të krijojë mundësi të bollshme mësimi për nxënësit, duke përdorur burime të shumta, përmes detyrave sfiduese dhe provokuese të mendimeve për një temë të veçantë, atëherë mësimi nuk është efektiv dhe nuk mund t’i ketë arritur qëllimet e duhura.


Që mësimi online të jetë efektiv, studentët duhet të mësojnë duke krijuar portfolio të dijes. A po ndodh diçka e tillë tani? Fatkeqësisht jo. Një klasë duhet të ketë një planprogram (silabus) të pranueshëm akademik, i cili do të komunikojë qartë qëllimet, objektivat, rezultatet, detyrat, leximet; të ketë filozofi të vlerësimit, të paraqesë metodat e ligjërimit… Si rezultat, gjatë gjithë semestrit apo vitit, studentët akumulojnë njohuri të cilat maten përmes një evaluimi që paraprakisht hartohet me kujdes nga mësimdhënësi. Studentëve ju sigurohet një “feedback” formativ për secilën komponente të klasës dhe një “feedback” përmbledhës mbi përparimin e tyre në fund të afatit, në përputhje me të mësuarit dhe angazhimin e tyre.

E njëjta gjë vlen edhe për klasat online. Që të zhvillohet një klasë nga distanca apo online në mënyrë efektive, të gjitha elementet e mësipërme duhet të jenë në vend përpara se të realizohet e njëjta. Mësimdhënësi paraqet strukturën e klasës në planprogram, kurse studentët (dhe prindërit për shkollat e nivelit fillor dhe të mesëm) pajtohen që t’u përmbahen kërkesave dhe të marrin pjesë në të gjitha detyrat. Mësimdhënësi mund të vendosë për ndarjen e klasës në detyrat të cilat mund t’u kërkojnë atyre të angazhohen në projekte të bazuara në probleme, të shkruajnë ese kritike, të marrin pjesë në diskutime drejtpërdrejt me video rreth një teme të inkuadruar më parë në planprogram, të marrin pjesë në forume diskutimesh, apo për nivelet me të larta edhe të angazhohen në hulumtime shkencore. E gjithë kjo mund të ndodh vetëm pasi studentët të kenë përfunduar leximin e caktuar të lidhur paraprakisht online nga mësimdhënësi. Kjo mund të ndodh vetëm duke përdorur një sistem të menaxhimit të mësimit, të krijuar posaçërisht për këtë qëllim.

Zoom, Teams, Skype dhe Google Meet… janë vetëm video për takime mes njerëzish, prandaj nuk ofrojnë mundësinë të shërbejnë si sisteme të menaxhimit të mësimit. Këto të fundit janë sisteme të dizajnuara me kujdes, të cilat lejojnë mësimdhënësin të përdor mënyra të ndryshme për të lehtësuar të mësuarit përmes distancës. Sa për informatë, kjo funksionon shumë mirë nëse zbatohet siç duhet sipas standardeve të përcaktuara ndërkombëtarisht në arsim. Madje, universitetet me famë botërore, ofrojnë edhe diploma baçelor, master apo të doktoratës, komplet online.

Një sfidë e madhe në këtë aspekt mbetet ndershmëria akademike, qoftë e qëllimtë apo e paqëllimtë, por shkollat të cilat investojnë në zhvillim të të mësuarit e kanë këtë sistem të integruar. Me parapagim të llogarive në turnitin.com, ata ofrojnë këtë mundësi dhe të njëjtën e lidhin me sistemin e menaxhimit të mësimnxënies, ku secila detyrë që dërgohet nga studentët filtrohet nga sistemi i autenticitetit akademik. Për të përcaktuar nëse secila klasë ka qenë e suksesshme apo jo në implementimin e saj sipas planprogramit, informatat kthyese nga ekspertët e monitorimit dhe vlerësimit duhet të sigurohen. Këto janë procedurat standarde të cilat dizajnohen nga ekspertë të sigurimit të cilësisë për kontekste specifike, dhe janë unike dhe autentike.

Në fund të fundit, që një klasë fizike të zhvendoset në internet, i gjithë programi mësimor duhet të ristrukturohet dhe studentët (dhe prindërit) duhet të informohen me kohë. Në rastin e pandemisë që po ndodh, shkollat kishin kohë të mjaftueshme për të bërë këtë ndryshim. Fatkeqësisht, shkollat me të cilat jam njohur nuk kishin as planprogram (silabuse) për klasat e tyre fizike. Kjo është e trishtueshme dhe në të njëjtën kohë akademikisht e patolerueshme.

Formati aktual i komunikimit që po zhvillohet në internet, mësimdhënës-studentë, nëse shikohet nga një këndvështrim psikologjik, është i dobishëm përveçqë nuk jep rezultate të të nxënit. Studentët, në të gjitha nivelet, përfshirë edhe prindërit e tyre, janë të dëshpëruar dhe po kalojnë nëpër një ankth të llojit te vet, veçanërisht për shkak të pasigurisë për te ardhmen. Lidhja me studentë dhe prindër përmes Zoom-it ose ndonjë platforme tjetër për video-konferenca, ku mësuesit ofrojnë rehati dhe pozitivitet, mund të lehtësojë ankthin midis studentëve dhe mund të ndihmojë familjet t’i mbajnë fëmijët e tyre të lumtur sadopak gjatë kësaj kohe. Sidoqoftë, ajo që është diskutabile për këtë situatë është vlerësimi (notat) për nxënësit. Në këtë aspekt, mësuesit dhe profesorët nuk e kanë idenë se si të sigurojnë një notë përfundimtare për studentët, qoftë si nevojë e tyre vetanake apo edhe si rezultat i presionit nga Ministria e Arsimit.

Tek para dy ditëve, Ministria e Arsimit në Maqedoninë e Veriut nxori një dokument i cili u bën thirrje mësuesve të vlerësojnë nxënësit e tyre deri në fund të vitit shkollor. Dokumenti është skandaloz, minon integritetin e ministrisë dhe tregon mungesë vizioni, profesionalizmi dhe udhëheqjeje në përgjithësi. Dokumenti nuk është një thirrje për veprim, por përkundrazi i njëjti ofron një udhëzim për mësuesit se si të derivojnë një notë përfundimtare. Kjo tregon se Ministria e cila harxhon fonde publike për të siguruar arsim cilësor për të gjithë studentët në vend, nuk ka arritur të sigurojë trajnime për mësuesit, për vlerësim, si një procedurë standarde. Kjo mes rreshtash thërret për improvizim. Për më tepër, nuk e kuptoj si mundet dikush të vlerësojë nxënësit kur nuk zhvillohet mësimi i strukturuar online (sipas planprogrameve për zhvillim të mësimit online)? Kjo është e dyshimtë dhe shton pretendimin tim se arsimi në Maqedoninë e Veriut është në një udhëkryq pa vizion të qartë për të tashmen, për të mos përmendur të ardhmen.

Njerëzimi është duke përjetuar revolucionin e katërt industrial, me një përhapje masive teknologjike, duke implementuar internetin e gjërave (Internet of Things) si rezultat i hulumtimeve marramendëse në fushën e inteligjencës artificiale (AI). Ky revolucion aktualisht po ndodh, ndërsa ne kemi një sistem arsimor të shekullit XIX.

Që të zhvillohet arsimimi cilësor, duhet të ketë një partneritet të fortë midis prindërve dhe shkollave. Fatkeqësisht, edhe kjo nuk po ndodh. Vetëdija e qytetarëve për cilësinë e arsimit është në nivel shumë të ulët. Para një kohe, në një sondazh të realizuar nga Detektor – emision i transmetuar nga TV Sitel (rrjet kombëtar i televizionit), i cili intervistoi 1200 qytetarë – vetëm katër për qind e të anketuarve pretenduan se arsimi ka rëndësi për ta. Me fjalë tjera, qytetarët e vendosin zhvillimin ekonomik me 40 për qind rëndësi, ndërsa lënë arsimin me vetëm katër për qind përparësi për të ardhmen e vendit. Ne nuk mund të presim një ndryshim të madh të paradigmës në arsim përderisa qytetarët nuk janë të interesuar për një hap të tillë.

Prindërit duhet të marrin rol të përgjegjshëm në nxitjen e një agjende më të fuqishme të zhvillimit të arsimit dhe duhet të marrin mbi supet e tyre mirëqenien e përgjithshme akademike te fëmijëve të tyre. Gjithashtu, duhet të shtyjmë prindërit të marrin përsipër menaxhimin e shkollave, duke iu dhënë energji të re bordeve shkollore, me një kontroll të duhur dhe ndihmë për të arritur rezultate më të mira. Kjo nuk bën thirrje për të lënë në hije komunat, sepse çdo hallkë në këtë zinxhir është e rëndësishme. Megjithatë, mënyra e vetme për të depolitizuar shkollat dhe për të siguruar mbështetje dhe cilësi është përfshirja e prindërve për të marrë përsipër përgjegjësinë për shkollat e tyre.

Mungesa e vizionit dhe kontributit nga Ministria përkatëse, do të vazhdojnë të rrezikojë arsimin si dhe t’i rrezikojë nxënësit të qëndrojnë dhjetë hapa pas bashkëmoshatarëve të vet nga vendet e zhvilluara. Ministria duhet të shohë përtej linjave partiake dhe t’i bëjë bashkë ekspertët në mbarë vendin, si dhe ata ndërkombëtarë, për të filluar punën për planet e zhvillimit të qëndrueshëm për një afat të shkurtër dhe të gjatë. Në mënyrë të ngjashme, prindërit dhe organizatat qytetare duhet të nxisin menjëherë një agjendë reforme. Jam i sigurt se nuk do të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik pa një agjendë të strukturuar të reformës në arsim, e cila do të mundte të zbatohej menjëherë.

Ne nuk do të ishim në një situatë kaq të rëndë sot nëse do të zbatonim një mësim të kombinuar që më herët me të paktën 20 për qind implementim të një lënde online. Sa për informacion, Google ofron falas shërbimet e tyre G-Suite, për shkollat jofitimprurëse. Ky është një sistem i integruar që ka gjithçka që nevojitet për të zbatuar një arsim të suksesshëm të kombinuar për studentët, padyshim edhe mundësinë për të ofruar mësim komplet online. Një qasje tjetër është mësimi i quajtur “Flipped” përmes të cilit mësimdhënësi bën incizimin e ligjëratës 10-15-minutëshe përmes një videoje. Nxënësit e shohin e më pas kur shkojnë në klasë, mësimdhënësi nuk ka nevojë të ligjëroj por ua jep mundësinë studentëve të angazhohen në diskutime dhe në të menduarit kritik, duke punuar në zgjidhje të problemeve për temën e caktuar. Sidoqoftë, për të ardhmen e afërt, qasja e kombinuar do të mjaftonte.

Zbatimi i secilës qasje të re kërkon trajnim të strukturuar të mësimdhënësve. Si me çdo zbatim në nivel shtetëror, një qasje e kombinuar e organizimit të procesit mësimor do të kërkonte trajnim të mësuesve për të përdorur teknologjinë si shtesë për ligjërimin e tyre, në mënyrë që të maksimizojnë të nxënit tek nxënësit apo tek studentët. Pas një implementimi te suksesshëm të kësaj qasjeje, sistemi arsimor në vend do të ishte i përgatitur të zhvendosë procesin komplet online. Implementimi i të njëjtës do të ketë sfidat e veta, duke pasur parasysh qëndrimin e stafit mësimor ndaj ndryshimeve inovative si dhe përgatitjen e tyre profesionale. Pa keqkuptime, fakultetet dhe akademitë pedagogjike nuk ofrojnë përgatitje profesionale për gjeneratën digjitale të cilën e kemi nëpër klasa. Megjithatë, duhet të veprojmë tani dhe të jemi të gatshëm për t’u përballur me këtë sfidë. Forca shtytëse janë fëmijët dhe studentët të cilët pa asnjë faj janë duke kaluar nëpër këtë krizë të sistemit arsimor të cilën ne vet e kemi krijuar, pikërisht nga mosdija se si ta menaxhojmë dhe zhvillojmë në hap me kohën.

Për ne fund, arsimi është një strukturë komplekse dhe bashkëdyzim i shumë elementeve që krijojnë një tërësi funksionale. Unë do ta krahasoja atë me kutitë Lego të nipit tim, kur ai i ndërton makinat e tij lodra. Me atë që ofrova më lartë ne mundemi të bëjmë ndryshim, mirëpo mundemi të vendosim vetëm boshtin e vozitjes tek makina e krijuar nga kutitë. Ngelën edhe shume për t’u bërë. Mirëpo, lajmi i mirë është se ekspertët i kanë të gjitha pjesët tjera të kutive Lego dhe dinë t’i vendosin të njëjtat ne vendet e duhura për të krijuar një sistem arsimor funksional dhe të qëndrueshëm, në të gjitha nivelet. Koha është tani!