Mësohet plani sekret i Liverpoolit për shkarkimin e Arne Slot

Liverpool ka kaluar lehtësisht Qarabagun me rezultat bindës 6-0 në Ligën e Kampionëve, duke siguruar kualifikimin për në fazën e 1/8 së finales.
Megjithatë, ky sukses evropian ka bërë pak për të qetësuar shqetësimet në rritje rreth formës së skuadrës në kampionat dhe së ardhmes së trajnerit Arne Slot.
Liverpooli ka fituar vetëm pesë nga 18 ndeshjet e fundit në Liga Premier, një bilanc që ka rritur ndjeshëm presionin. Humbja e fundit 3-2 ndaj Bournemouth vetëm sa e ka thelluar pakënaqësinë, ndërsa tashmë ka shqetësim të hapur edhe te tifozët.
Frustrimi është grumbulluar për shkak të paraqitjeve të paqëndrueshme dhe pozitës aktuale në tabelë. Në këtë kontekst, drejtuesit e klubit kanë marrë një vendim për të ardhmen e Arne Slot.
Sipas “Football Insider”, Liverpool nuk planifikon ta shkarkojë Arne Slot për momentin. Klubi synon të vazhdojë me trajnerin holandez të paktën deri në fund të sezonit, megjithëse pozita e tij nuk është aspak e sigurt.

Slot pritet të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve, objektiv që brenda klubit shihet si minimumi i domosdoshëm. Dështimi për të përfunduar në top katërshe do ta ndryshonte ndjeshëm situatën.
Brenda klubit mbizotëron ndjenja se stabiliteti mbetet i rëndësishëm dhe hierarkia dëshiron t’i japë kohë trajnerit për ta përmirësuar situatën, në vend se të nxitojë drejt një tjetër ndryshimi në stol.
Megjithatë, te “The Reds” kërkohen rezultate të menjëhershme. Nëse Liverpool vazhdon të hasë vështirësi dhe nuk i arrin objektivat e vendosura, presioni do të rritet shpejt.
Në atë pikë, klubi mund të detyrohet të marrë një vendim të vështirë. Për momentin, Arne Slot mbetet në krye të skuadrës, por mesazhi nga drejtuesit është i qartë.
Nëse ai nuk arrin të sjellë rezultatet e kërkuara deri në fund të sezonit, atëherë as titulli i fituar në Liga Premier sezonin e kaluar nuk do të jetë i mjaftueshëm për ta mbajtur në stolin e “Anfieldit”./Telegrafi












































