Nga: Ludovic Hunter-Tilney / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Brian Wilson, i cili vdiq në moshën 82-vjeçare, kishte një vizion të jashtëzakonshëm për atë që mund të arrihej brenda kohëzgjatjes së shkurtër të një kënge pop. Mitologjia e rokut e ka paraqitur atë si një Ikar që fluturoi shumë pranë diellit - i djegur nga ambicia, shkëlqimi dhe kriza mendore. Por, ai këtë e shihte ndryshe. “Nuk jam gjeni”, i tha revistës Rolling Stone në vitin 1971, udhëheqësi i grupit The Beach Boys. “Jam thjesht një njeri që punon shumë”.


I lindur në vitin 1942, Wilson u rrit në Hauthorn, një qytet periferik në qarkun e Los Anxhelosit, i njohur si “qyteti i fqinjëve të mirë”. Edhe pse humbi pjesërisht dëgjimin që në fëmijëri, ai kishte aftësi të jashtëzakonshme për të kapur meloditë. Shkëlqente në sport në shkollë, por preferonte të kalonte orë të tëra në piano, duke analizuar këngët e tij të preferuara. Harmonitë barbershop të grupit të vokalistëve The Four Freshmen kishin ndikim kyç. Gjithashtu edhe producenti Phil Spector me stilin e tij të të njohur si “muri i zërit”.

Wilson formoi The Beach Boys në vitin 1961 së bashku me vëllezërit e tij Dennis dhe Carl, kushëririn Mike Love dhe një shok klase nga gjimnazi, Al Jardine. Me sugjerimin e të vetmit anëtar të grupit që ishte vërtet një surfer, Dennis, ata himnizuan aktivitetin simbolik të kulturës rinore të Kalifornisë Jugore. “Surfing është e vetmja jetë / E vetmja mënyrë për mua”, ishin vargjet hapëse të singlit të tyre të parë, Surfin’. Fjalët u shkruan dhe u kënduan nga Love, ndërsa Wilson kompozoi dhe orkestroi muzikën. Tekstet nuk u bënë kurrë specialiteti i tij. Për të, zërat ishin instrumente të përkryera muzikore, të cilat shprehnin ndjenja përmes tingullit - më shumë sesa përmes gjuhës.

The Beach Boys patën sukses të madh me harmonitë e ndjeshme korale, kitarat e tingullit surf dhe ritmet që ngriheshin si dallgë mbi një bregdet të përjetshëm me diell në Paqësor: tingulli “kalifornian”, siç u quajt. Singli i tyre i parë që hyri në dhjetëshen më të mirë të top-listës Billboard ishte Surfin’ USA në vitin 1963. Me Wilsonin që luante në bas dhe këndonte vokalet mbështetëse apo ato kryesore, ata u bënë zëri joshës i rinisë amerikane - deri në momentin kur Beatles zbarkuan në aeroportin JFK në vitin 1964.

Si një nga grupet e rralla amerikane që i rezistuan Pushtimit Britanik, The Beach Boys patën një seri këngësh që u renditën në klasifikimet muzikore atë vit. Por, krahasuar me rivalët e tyre të nga Liverpuli, ata ngjanin si një akt më rinor. Si një sportist që mund të ishte bërë, Wilsoni reagoi me zellin konkurrues. Me lindjen e epokës së rokut psikodelik, ai e çoi grupin The Beach Boys larg origjinës së tyre si idhuj të rinisë.

Në një industri muzikore që trajtonte talentin si punëtor fabrike, Wilson kërkoi lirinë e një krijuesi të vërtetë. Ai kalonte orë të tëra në studio në kërkim të tingullit të përkryer. Për zhgënjimin e shokëve të grupit, ai hoqi dorë nga turnetë në vitin 1965 për t’u përqendruar te incizimet. “Nëse më lejoni të bëj një koment, Brian po përjeton gjendje paniku sa herë që publikohet një këngë e re”, tha nëna e tij gjatë një interviste që grupi dha në vitin 1965.

Don’t Worry Baby, një këngë e vitit 1964 si përgjigje ndaj Be My Baby të grupit The Ronettes, tregoi dhuntinë e tij autodidakte për harmoni shumëzërëshe dhe produksion muzikor në studio. Në vitin 1966, grupi publikoi kryeveprën e tyre, albumin Pet Sounds, të cilën Wilson e shkroi, e orkestroi dhe e prodhoi pothuajse i vetëm. “Në këtë pikë, do ta quaja thjesht muzikë bashkëkohore amerikane. Jo rokënrol që është një shprehje e konsumuar”, tha ai pak pas publikimit të albumit.

Wilson nuk donte thjesht të barazohej me eksperimentet në studio të grupit Beatles, por t’i tejkalonte ata. Këngët e tij sollën një sofistikim të paprecedent në botën e tingujve të grupeve vajzërore, du-vupit, muzikës surf dhe popit orkestral. Sipas tij, një hit mund të bëhej, siç e quante ai vetë, “një simfoni adoleshente për Zotin”. Rreth 20 muzikantë shtesë u kërkuan për pjesën baroke të Pet Sounds, këngën God Only Knows, duke luajtur instrumente që varionin nga kornoja franceze deri te perkusionet e improvizuara me një palë gota plastike.

Veprimet e tilla të pazakonta, si vendosja e një pianoje në një kuti me rërë brenda shtëpisë, për të imituar një plazh, shtuan shkëlqim ndaj etiketës së “gjeniut”. “Po eksperimentoj me kombinime tingujsh dhe instrumentesh që zakonisht nuk lidhen me industrinë e rokënrolit”, shpjegonte ai. Por, guximi krijues u shoqërua me një brishtësi të thellë psikologjike.

Vendimi i Wilsonit për të ndaluar turnet erdhi pas një krize nervore në një aeroplan. Ai u mbingarkua nga halucinacione paranojake gjatë punës për Smile, albumin që synonte të ishte pasuesi i Pet Sounds. Forcat kundërshtuese të sëmundjes mendore, perfektionizmit, konkurrencës, përdorimit të drogave psikoaktive dhe dyshimeve - madje edhe armiqësisë - të anëtarëve të grupit, rezultuan të papërballueshme. Pika e thyerjes u parapri nga kënga jashtëzakonisht e ndërlikuar e vitit 1966, Good Vibrations, e cila mori shtatë muaj për t’u realizuar dhe thuhet se kushtoi mbi 400 mijë dollarë me çmimet e sotme [346 mijë euro].

Pas braktisjes së Smile-it - që u bë albumi “i humbur” më joshës në historinë e rokut - Wilson u tërhoq nga jeta publike. Ai dha kontribute sporadike në albumet e grupit dhe mbikëqyri albumin debutues të duetit Spring në vitin 1972, ku bënte pjesë gruaja e tij e parë, Marilyn Wilson, me të cilën pati dy vajza. Ata u divorcuan në vitin 1979. Më vonë u martua me Melinda Ledbetterin, e cila vdiq vitin e kaluar. Ata birësuan pesë fëmijë.

Ledbetter u vlerësua për ndërprerjen e lidhjes së Wilsonit me psikiatrin kontrovers Eugene Landy, një figurë që thuhej se e kontrollonte dhe që u ndalua me ligj të kontaktonte këngëtarin dhe kompozitorin në vitin 1992. Duke marrë rolin e menaxheres për të, ajo e ndihmoi të rikthehej. Në vitin 2004, ai riktheu Smile-in e papërfunduar në një koncert që u prit me entuziazëm në Londër dhe më pas në një regjistrim në studio. Pasuan albume të tjera dhe, në vitin 2011, nisi një ribashkim me The Beach Boys. Albumi i tij i fundit, At My Piano, u publikua në vitin 2021.

“Dinamika. Ky është çelësi për këngë të mira. Dinamika e zbatuar me dashuri”, tha ai në vitin 1966. Shtrirja e instrumenteve, vokaleve, melodive, ritmeve dhe harmonive në këngët e tij më të njohura përfaqëson kulmin e asaj që mund të arrihej në një studio incizimi. Kjo kërkoi punë të palodhur dhe një çmim të madh personal - por, shkëndija e gjeniut ishte aty. /Telegrafi/