Rihapet pika kufitare në Glloboqicë, pas lokalizimit të zjarreve në Maqedoninë e Veriut
Përditësuar - Është rihapur pikëkalimi Kosovë-Maqedoni e Veriut në Glloboqicë, rreth një orë pasi Maqedonia e Veriut e mbylli si pasojë e zjarrit.
Zjarret janë lokalizuar dhe tani kjo pikë është e hapur për qarkullim të lirë të automjeteve dhe personave, ka njoftuar Qendra për Menaxhimin Kufitar.
edhe Qendra për Menaxhimin e Krizave në Maqedoni ka njoftuar se vendkalimi kufitar në Jazhincë dhe rruga drejt Kosovës janë rihapur për qarkullim, pasi më herët u mbyllën si pasojë e një zjarri të madh që shpërtheu në këtë rajon.
Mbyllet pika kufitare në Glloboqicë për shkak të zjarreve në Maqedoninë e Veriut
Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar (QKMK) ka njoftuar se pika kufitare në Glloboqicë, mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, është mbyllur përkohësisht.
Sipas njoftimit, rreth orës 15:40 autoritetet maqedonase kanë informuar palën kosovare se, për shkak të një zjarri të madh pranë rrugës së fshatit Jazhincë dhe rrezikut që paraqet, me urdhër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Shtabit të Krizave të RMV-së, është vendosur mbyllja e kufirit në këtë pikë.
Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes dhe përdorimin e pikave të tjera kufitare deri në normalizimin e situatës./Telegrafi/





























