Mbrojtja ka marrë veten pas ndeshjes së parë – katër ndeshje radhazi pa pësuar gol, sinjal i fortë para përballjeve vendimtare

Kosova futet në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve për Eliminatoret e Kupës së Botës, ku do të përballet me Zvicrën – kundërshtarin e vetëm që na ka shënuar dhe na ka mposhtur deri tani.
Takimi i parë, i zhvilluar në Bazel ku Kosova ishte mysafire, përfundoi 4-0 në një mbrëmje ku ekipit tonë nuk i funksionoi asgjë.
Por pas asaj humbjeje, Kosova reagoi fuqishëm: tri fitore dhe një barazim, pa pësuar asnjë gol në katër ndeshjet e fundit.
Fillimisht erdhi fitorja ndaj Suedisë (2-0), ndeshje ku Franco Foda ishte pa kapitenin Amir Rrahmani. Ai ndryshoi rreshtimin në 3-5-2.
Qendra e mbrojtjes përbëhej nga Ilir Krasniqi, Lumbardh Dellova dhe Fidan Aliti. Në portë ishte Arijanet Muriç, ndërsa në krahë luajtën Dion Gllamçeta në të majtë dhe Mërgim Vojvoda në të djathtë.

Në mesfushë ishin Leon Avdullahu dhe Elvis Rexhbeçaj, përveç një takimi ku nga fillimi u aktivizua Veldin Hoxha.
Në barazimin me Slloveninë (0-0) në “Fadil Vokrri”, Kosovës iu shtua një mbrojtës i vlefshëm, që brenda pak muajsh është bërë titullar i rëndësishëm: ylli i Hoffenheimit, Albian Hajdari.
Në debutim ishte ndër më të dalluarit në fushë, duke zëvendësuar Lumbardh Dellovën. Së bashku me të luajtën edhe Ilir Krasniqi dhe Fidan Aliti.
Mbrojtja ndryshoi sërish në vijim, pasi në ndeshjen pasuese kundër Suedisë si mysafir, u paraqit treshja Hajdari – Krasniqi – Kreshnik Hajrizi. Ata realizuan një paraqitje gjigante dhe ishin ndër më të merituarit për fitoren 1-0.

Në katër ndeshjet e para në portë ishte Aro Muriç, ndërsa në takimin e fundit ndaj Sllovenisë u aktivizua Amir Shaipi.
Edhe treshja e mbrojtjes ndryshoi, ndonëse për herë të parë Franco Foda kishte të gjithë mbrojtësit në dispozicion.
Në triumfin e fundit, Foda startoi me Lumbardh Dellovën, Amir Rrahmanin dhe Albian Hajdarin.
Në secilën ndeshje, përveç asaj të parë, Dardanët nuk kanë pësuar gol – duke dëshmuar se Kosova ka krijuar një mbrojtje shumë të fortë. Pa marrë parasysh kush luan, të gjithë japin maksimumin.
Kualifikimi në play-off të Kupës së Botës është një arritje madhështore, por duket se ky ekip ende nuk e ka prekur tavanin. Me sulmin Vedat Muriqi – Fisnik Asllani, të mbështetur nga Florijan Muslija, Kosova mund të dhurojë emocione dhe surpriza të tjera.

Të martën, në ndeshjen e fundit të grupit ndaj Zvicrës, Kosova shkon për të treguar se ende mund të arrijë edhe më shumë.
/Telegrafi/



















































