Mbi 300 policë të Londrës deklarohen se janë masonë
Më shumë se 300 oficerë dhe punonjës të Policisë Metropolitane të Londrës kanë deklaruar se janë të përfshirë në masoneri ose në shoqata të tjera “hierarkike”, pasi forca policore ua kërkoi këtë muajin e kaluar, ka bërë të ditur një gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
Policia Metropolitane njoftoi në dhjetor se çdo anëtarësi e tillë, qoftë e kaluar apo aktuale, duhet të deklarohet si pjesë e një politike të re për transparencë, me synim identifikimin e lidhjeve të mundshme që mund të ndikojnë në besueshmërinë dhe integritetin e forcës, transmeton Telegrafi.
Ky vendim ka nxitur disa organizata që përfaqësojnë masonët të ndërmarrin veprime ligjore pranë Gjykatës së Lartë, duke kundërshtuar masën e policisë, raporton BBC.
Një gjyqtar ka deklaruar se do të merret një vendim nëse do të miratohet apo jo një urdhër i përkohshëm gjykate për të pezulluar zbatimin e kësaj politike deri në përfundimin e procesit ligjor. Sipas tij, rreth 300 policë dhe punonjës tashmë kanë dorëzuar deklaratat e kërkuara.
Policia Metropolitane ka bërë të ditur se kjo masë u ndërmor pas një ankete të brendshme, e cila tregoi se dy të tretat e personelit mendojnë se anëtarësimi në organizata të tilla mund të ndikojë negativisht në perceptimin e paanshmërisë së policisë dhe në besimin e publikut.
Komisioneri i Policisë Metropolitane, Sir Mark Rowley, e ka mbështetur këtë politikë, duke e cilësuar atë si pjesë të përpjekjeve për të rritur transparencën dhe besimin ndaj forcës policore.
Nga ana tjetër, organizatat e masonerisë kanë argumentuar se kërkesa për deklarim mund të cenojë të drejtat e privatësisë së anëtarëve të tyre dhe të jetë në kundërshtim me ligjet për mbrojtjen e të dhënave. Ato kanë shtuar gjithashtu se vetëm një pjesë e vogël e personelit ka marrë pjesë në anketën e zhvilluar.
Çfarë është masoneria?
Masoneria (mjeshtëria e lirë) është një vëllazëri shekullore me rreth gjashtë milionë anëtarë në mbarë botën.
Rrënjët e saj vijnë nga esnafët mesjetarë të gurgdhendësve, dhe anëtarët edhe sot mblidhen në “lozha”, ku zhvillojnë rituale dhe ceremoni misterioze.
Figura biblike e mbretit Solomon zë një vend qendror në masoneri – ndërtimi i Tempullit të Parë në Jerusalem prej tij pasqyrohet në idealet masonike të zhvillimit personal dhe rritjes shpirtërore.
Nga anëtarët kërkohet të besojnë në një Qenie Supreme – por nuk është e domosdoshme t’i përkasin një feje të caktuar – dhe thuhet se u ndalohet të diskutojnë për politikë ose fe gjatë takimeve masonike.
Masonët mbajnë përparëse simbolike dhe avancojnë nëpër shkallë anëtarësimi, ndërsa shprehja “t’i japësh dikujt shkallën e tretë” rrjedh nga faza përfundimtare e inicimit të tyre. /Telegrafi/






























