Telegrafi

Mbi 200 korporata perëndimore janë larguar nga tregu rus

Janë mbi 200 korporata të mëdha perëndimore që janë tërhequr ose kanë pezulluar aktivitetin biznisor me Rusinë.

Lista e përpiluar nga Unviversiteti i Yale, tregon se kompanitë më prestigjioze janë larguar nga Rusia, pas sanksioneve të vendosura nga vendet e Perëndimit, si kundërpërgjigje ndaj agresionit ushtarak në Ukrainë.

“200 korporata të mëdha perëndimore janë tërhequr ose kanë pezulluar biznesin me Rusinë. Universiteti i Yales e ka përgatitur këtë listë”, ka njoftuar shefi i Hermitage Capital, Bill Browder, përcjell Telegrafi.

Browder ka prezantuar edhe listën e kompanive që nuk janë larguar nga Rusia, duke shtuar se këto duhet të bojkotohen nga Perëndimi.

“Këtu është lista e kompanive që vazhdojnë të bëjnë biznes me Rusinë. Duhet të tërhiqen sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse jo, ato duhet të bojkotohen në Perëndim. Fitimet mbi sigurinë kombëtare janë të papranueshme”, thekson ai në Twitter.

Qeveria ukrainase u kishte bërë thirrje parë kompanive financiare që të pezullonin funksionimin e tyre në Rusi.

Sanksionet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Kanadaja dhe Bashkimi Evropian kanë ndikuar në ekonominë ruse pasi Fitch, S&P dhe Moody’s kanë ulur vlerësimin e kreditor të vendit. /Telegrafi/