Max Holloway u dërgua me urgjencë në spital pas çarjes së rëndë që pësoi në duelin ndaj Volkanovskit

Max Holloway është dërguar me urgjencë në spital, pasi pësoi një plagë të thellë gjatë trilogjisë ndaj Alexander Volkanovski.
Pas dy humbjeve me pikë, historia u përsërit sërish të dielën në mëngjes, pasi amerikani humbi përsëri me pikë ndaj rivalit të tij australian.
Volkanovski ishte në formën e tij më të mirë në duelin e tretë me një triumf me rezultat 50-45 nga të tre gjyqtarët.

Në raundin e dytë, ai e shtoi intensitetin duke ia hapur një çarje të tmerrshme mbi syrin e majtë të amerikanit.
Holloway u gjakos tutje gjatë meçit, derisa plaga bëhej gjithnjë e më e gjerë duke ia penguar shikimin aq sa nuk ishte në gjendje që të rikthehej në luftë dhe kampioni vazhdoi rrugën drejt fitores.

Menjëherë pas duelit, ish-kampioni i peshave shumë të lehta është transportuar në spital për trajtim të mëtejshëm.
Humbja ndaj Volkanovskit ndërpreu serinë prej dy fitoresh për të preferuarin e tifozëve – Holloway (ndaj Calvin Kattar dhe Yair Rodriguez), i cili ishte rikthyer në garën për titull. /Telegrafi/





















































