LAJMI I FUNDIT:

Marksizmi Kulturor

Marksizmi Kulturor

Cid Lazarou

E majta moderne dominon në kulturën e sotme, në diskutimet rreth të drejtave të homoseksualëve, ambientalizmit, grave në vendin e punës, multikulturalizmit, diversitetit racor, Hollivudit, Luginës së Silikonit, artit postmodern etj. Pra, shumë lëvizje të drejtësisë sociale mund të duken të palidhura mes tyre, por kjo është larg nga të qenit e vërtetë.

Ajo që i ndërlikon gjërat, është se ideologjia e majtë është e vështirë të përcaktohet, jo sepse propozuesit e saj e frenojnë dhe ç’orientojnë me qëllim atë. Kjo nuk është e vetmja arsye; një ideologji e tillë supozohet të jetë fluide, e përshtatur për të ndryshuar kudo që është e nevojshme, sidomos përballë dështimit (ekzistojnë shembuj të panumërt në histori).

Derisa të majtët nuk i pranojnë kurrë këto dështime, duke i fajësuar në mënyrë të paevitueshme kundërshtarët e tyre, ata janë bërë ekspertë për t’u zhvendosur nga një objektiv në tjetrin, pa e zbuluar identitetin e tyre.

Kur të kuptoni këtë, është zakonisht tepër vonë për të bërë diçka për këtë – duhet të pranoni që e majta do të djegë diçka, përpara se ta heq dorë. Vetëm individi më i vëmendshëm ose i informuar, mund ta vërë re këtë gjë para se të shkojë aq larg sa të besojë se ideologjia e majtë është disi dashamirëse. Një term popullor për të përshkruar këtë strategji fluide, është “marksizmi kulturor”.

Teksa e majta nxiton ta quajë këtë një “teori komploti”, ajo është një mënyrë e mirë për të përshkruar transformimin e së majtës gjatë dekadave. Megjithëse duhet të jemi të kujdesshëm për ta përcaktuar këtë siç duhet. Pa dyshim, e majta moderne është e përqendruar kryesisht mbi kulturën, edhe pse nuk është distancuar aq shumë nga Karl Marksi dhe Fridrih Engelsi, sa mund të mendohet. Përkundrazi, majtistët modernë e kanë çuar shumë më tej kritikën kulturore të marksizmit klasik.

“Manifesti komunist” ishte shumë i hapur për shoqërinë që transformon kulturën, duke e vendosur këtë në kapitullin e dytë. Këtu Marksi dhe Engelsi e bënë shumë të qartë se kërkonin të shfuqizonin kombin, fenë dhe familjen. Ata deklarojnë se “komunizmi zhduk të vërtetat e përjetshme, ai zhduk të gjitha fetë dhe gjithë moralin”.

Po ashtu, duke folur tekstualisht për “zhdukjen e familjes”, ata vazhdojnë të shpjegojnë: “Kurthi borgjez për familjen dhe edukimin, për bashkëjetesën e shenjtëruar mes prindërve dhe fëmijëve bëhet gjithnjë e më i neveritshëm me veprimin e industrisë moderne”. Më pas, ata deklarojnë: “Borgjezi e sheh gruan e tij si një instrument të thjeshtë të prodhimit”, duke vazhduar për të hedhur poshtë akuzat se “komunistët dëshirojnë të anulojnë konceptet e shtetit dhe kombësinë”.

Se si dikush do të kundërshtonte fokusin kulturor të marksizmit, kur që nga fillimi i tij ai qe aq transparent, kjo është mjaft e habitshme. Unë do të shkoj aq larg sa të pyes nëse ka ndryshuar shumë në këtë drejtim, edhe nëse zgjerohet me kalimin e kohës. Ajo që ka ndryshuar në fakt është më tepër një botëkuptimi semantik.

Bëhet fjalë për dy shkolla të mendimit brenda qarqeve marksiste. Marksistët e parë revolucionarë besojnë se vetëm përmes luftës së dhunshme do të ndërtohet komunizmi. Në anën tjetër, marksistët gradualistë folën për një tranzicion gradual drejt komunizmit, duke e transformuar shoqërinë nga brenda.

Çdokush me një numër njohurish dhe ndershmëri historike, do të pranojë se marksizmi revolucionar ishte një katastrofë e plotë. Ai bëri që rreth një e treta e popullsisë së botës të vuante në mënyrë të tmerrshme nën komunizëm, duke shkaktuar 100 milionë të vdekur nga aktet e përgjakshme, brutale dhe mizore të democidit.

Deri më sot ka ende vende si Koreja e Veriut dhe Kuba që jetojnë nën morsën e këtij sistemi. Vende të tjera, si Kina dhe Vietnami, kanë ndërmarrë disa hapa kuptimplota drejt reformimi, por janë ende shtete tejet represive dhe jodemokratike të një partie të vetme politike.

Derisa shumë pak njerëz e njohin sot historinë e komunizmit revolucionar, akoma më pak dihet për formën e tij graduale. Ajo ekzistonte edhe para se revolucioni rus të çonte në shtetin e parë komunist, veçanërisht me fabianët në Angli dhe menshevikët në Rusi, ndërsa Leon Trocki ishte shembulli më i shquar i kësaj të fundit.

Menshevikët kundërshtuan me forcë homologët e tyre bolshevikë, mbi atë nëse duhet të merrnin një qasje revolucionare apo graduale. Kur bolshevikët morën pushtetin në Rusi, këto dallime u mënjanuan, edhe pse të majtët gjithmonë hanë kokat e njëri-tjetrit në fund. Kështu Stalini spastroi Trockin dhe shumë të tjerë nga qeveria.

Ndonëse ka shumë shembuj të tjerë të marksizmit gradualist, nga Georgi Lukas dhe edukimi i tij seksual në Hungari, tek marshimi i gjatë i Antonio Gramshit nëpërmjet institucioneve, ishte ndoshta Shkolla e Frankfurtit ajo që pati ndikimin më të madh në përshtatjen kulturore moderne të së majtëss.

Kur Partia Naziste u ngjit në pushtet, anëtarët e saj u larguan nga Gjermania, u vendosën në Shtetet e Bashkuara dhe çuan aty edhe interpretimin e tyre kulturor të marksizmit – teoria kritike, pothuajse fjalë për fjalë shtylla e mendimit modern majtist.
Teoria kritike është një model fluid, që zbaton luftën marksiste të klasave në çdo aspekt të jetës, në krahasim me të qënurit i drejtuar thjesht nga klasa ekonomike, siç përcaktohej nga marksistët klasikë. Kudo që ekzistojnë dallime në shoqëri, kjo teori mëson se shkaku është shtypja duke u bërë kështu një mundësi tjetër për luftën klasore në shoqëri, megjithëse jo gjithmonë në sensin klasik marksist të proletariatit kundër borgjezisë.

Për shkak të fluiditetit të kësaj teorie, lufta e klasave mund të zbatohet në çdo gjë, nga homoseksualët përkundrejt heteroseksualëve, meshkujt kundrejt femrave, zezakëve kundrejt të bardhëve, dhe kudo ku mund të nxitet një ndarje, siç e shpjegova në fillim dhe ashtu siç e shohim sot.

Marksizmi Kulturor është një mënyrë shumë efektive për ta shpjeguar këtë teknikë, sepse kudo që ekziston kultura, majtistët modernë e përdorin teorinë kritike për të mbjellë ndarje në shoqëri, të cilat ata të mund t’i kthejnë në avantazhin e tyre. Ideja që kjo është një lloj teorie konspirative bazohet thjesht në atë që majtistët nuk e përdorin vetë këtë term.

Por, nëse ky term përqafohet apo jo nga e majta, është diçka e parëndësishme. Jo vetëm që është një mënyrë e dobishme për të përshkruar teorinë kritike, dhe për ata që e nxisin këtë në shoqëri, por bëhet edhe më e parëndësishme kur të majtët ndryshojnë në mënyrë të pashmangshme emrin e tyre, në momentin kur kjo bëhet politikisht e leverdishme. /The Epoch Times/Në shqip nga: bota.al/