Manikyri me pika, zgjedhja e duhur e sezonit që patjetër duhet ta provoni

Tani është momenti që ngjyrat dhe motivet të marrin skenën kryesore
Nëse po kërkoni një mënyrë për të freskuar pamjen e thonjve këtë verë, manikyri me pika është trendi që duhet provuar.
Loja me kontraste, kombinime dhe detaje të vogla si pikat ju jep hapësirë për kreativitet, duke e kthyer manikyrin në një aksesor mode që plotëson çdo stil.
Më poshtë gjeni disa ide që mund t’i provoni që nga këto ditë:
E kuqe + e bardhë
E kuqja është një klasik që kurrë nuk del nga moda, por me pika të bardha fiton një dimension krejt të ri. Teoria e njohur “The Red Nail Theory” thotë se llaku i kuq përcjell vetëbesim, pjekuri dhe karizëm. Kur kombinohet me detaje të bardha, efekti bëhet edhe më i theksuar, një përzierje që tërheq vëmendje dhe përforcon sigurinë në stilin personal, transmeton Telegrafi.
Blu + e verdhë
Një tjetër hit i kësaj sezone është kombinimi i blusë dhe të verdhës, ngjyra që në shikim të parë duken kontradiktore, por së bashku krijojnë një kontrast perfekt. Këto nuanca tashmë janë bërë të famshme në trendin e frymëzuar nga boronicat dhe limoni, ndërsa tani po shndërrohen në hit edhe në manikyrin me pika. Nëse adhuroni tonet e gjalla dhe doni të eksperimentoni, kjo përzierje do të jetë zgjedhja e duhur deri në fund të verës.
Shumëngjyrësh
Për ato që duan të shkojnë edhe më tej, pikat mund të kombinohen me dy ose më shumë trende njëherësh. Për shembull, një manikyr francez me pika në pesë ngjyra të ndryshme dhe motive shtesë, pse jo? Ky miks asimetrik duket lozonjar dhe unik, ndërsa më e mira është që mund ta mbani në çdo stinë të vitit. /Telegrafi/

















































