Manaj akuzon Ministrinë e Financave për bllokimin e buxhetit të Prishtinës

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Shkëmb Manaj, ka reaguar ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, duke e akuzuar atë dhe partinë në pushtet për bllokimin e buxhetit të Kryeqytetit.
“Adresa e vetme e bllokimit të buxhetit të Prishtinës është Hekuran Murati dhe partia e tij në pushtet. Tjerat çfarë thotë ai në statuse në Facebook janë gënjeshtra të mëdha dhe tentim për t’i ikur përgjegjësisë penale”, ka deklaruar Manaj.
Ai ka njoftuar se Komuna e Prishtinës i ka dërguar sot një shkresë të re Ministrisë së Financave, për të kërkuar zhbllokimin e buxhetit të Kryeqytetit.
Sipas tij, 33 milionë euro – prej të cilave rreth 23 milionë janë të hyra vetanake dhe 10 milionë euro grant qeveritar – janë bllokuar në mënyrë të kundërligjshme nga Ministria e Financave.
“Murati dhe bashkëpunëtorët e tij do të përgjigjen para drejtësisë, derisa po e mbajnë të bllokuar buxhetin e Prishtinës, i cili është përfshirë në Ligjin për Ndarjet Buxhetore të vitit 2025”, ka shtuar Manaj në reagimin e tij. /Telegrafi/








































