Për dy ditë me radhë, sportistë nga Kosova dhe rajoni hapën sezonin e ngjitjes në një aktivitet të organizuar nga Klubi i Ngjitjes “Marimangat”. Në këto ditë pranverore, shkëmbinjtë e Pejës u gjallëruan nga dhjetëra ngjitës, në një traditë që po vazhdon për të katërtin vit radhazi.

Një fëmijë, vetëm 5 vjeç, i siguruar me litar, kishte vendosur gishtërinjtë e tij të vegjël në gurin gëlqeror të Grykës së Rugovës. Ngjitja vjen natyrshëm për të vegjlit, dhe ai menjëherë kërkoi me këmbët e tij pikat më të larta të shkëmbit për të realizuar ngjitjen e parë.


Më tej, në mesin e shumë sportistëve, një burrë në mes të 60-tave i kalitur nga vitet dhe përvojat  testonte aftësitë e tij në ngjitje. Qëndrueshmëria e fituar me kohën dhe motet nuk ia kishin zbehur pasionin, e vitet nuk e ndalonin. Në Grykën e Rugovës ishin mbledhur fëmijë, të rinj e të reja, e edhe disa “më pak të rinj” për të shënuar fillimin e sezonit të ngjitjes.

Ky aktivitet, që realizohet kryesisht me punë vullnetare dhe me mbështetjen e Komunës së Pejës, mblodhi rreth 70 ngjitës nga e gjithë Kosova. Edhe pse për dikë ngjitja mund të duket një sport i rrezikshëm dhe i vështirë, realiteti është krejt ndryshe.

“Kur e sheh dikë në mes të shkëmbit, dhjetëra metra mbi tokë, natyrisht që duket e rrezikshme. Por nëse respektohen procedurat e sigurisë, ky sport është më i sigurt se basketbolli apo futbolli, ku çdo ditë ke kyçe të ndrydhura, këmbë të thyera e gishta të mavijosur”, thotë Nol Krasniqi, një nga ngjitësit me përvojë dhe aktivist i “Marimangave”.

“Ne e bëjmë këtë me shumë dëshirë, dhe është kënaqësi të shohësh kaq shumë të rinj të interesuar për këtë sport,” shton ai.

Ngjitja si sport në Kosovë ka nisur në Pejë dhe më pas është përhapur edhe në qytete të tjera. Muret artificiale të ngjitjes po shtohen gjithandej në vend. Në Mitrovicë, një mur i tillë funksionon nën drejtimin e bjeshkatarit të njohur, Fidan Abazi, ndërsa mure të ngjashme janë ngritur edhe në Prishtinë dhe qytete të tjera.

Ngjitja sportive është bërë pjesë e Lojërave Olimpike që nga viti 2020 dhe u rikthye në programin e Parisit më 2024, duke e pozicionuar këtë sport në mesin e disiplinave më prestigjioze. Në rajon, Sllovenia është fuqia dominuese me sportistë elitarë, ndërsa vendet e tjera të Ballkanit nuk kanë ende një prezencë të fortë në skenën ndërkombëtare.

Në Kosovë, Klubi “Marimangat” nga Peja ka qenë për vite me radhë lider, me kampionin Albi Koçani, Dielli Veseli edhe Amar Anadolli si figura qendrore të këtij sporti. Edhe pse Kosova është anëtare e re e Federatës Ndërkombëtare të Ngjitjes, sportistët kosovarë nuk kanë marrë ende pjesë në gara ndërkombëtare.

Në Pejë, këtë fundjavë, shumë të rinj e të reja patën rastin të njihen me këtë sport, të provojnë aftësitë e fituara në sallat e ngjitjes, tashmë në natyrë, në shkëmbinjtë e Rugovës. Por sporti dhe përfitimet e tij nuk duhet të kufizohen vetëm në ngritjen e flamurit në podium. Sporti, mbi të gjitha, është një mjet edukimi dhe zhvillimi personal.

Ngjitja sportive, veçanërisht, sjell vetëbesim dhe ndihmon në zhvillimin e trurit për zgjidhjen e problemeve. Siç thekson edhe profesoresha Dr. Karen E. Adolph nga Universiteti i New York-ut, aktivitetet fizike si ngjitja ndihmojnë fëmijët të përballen me sfida të reja, të përmirësojnë aftësitë motorike, të zhvillojnë vetëbesim dhe të forcojnë qëndrueshmërinë emocionale që në moshë të hershme. Një studim i publikuar në International Journal of Early Childhood Environmental Education nënvizon se ngjitja ndihmon fëmijët të zhvillojnë ndjenjën e arritjes dhe të marrin vendime të pavarura përmes tejkalimit të pengesave.

telegrafi sport app