Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku Sadriu, ka komentuar situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës pas alarmit për bombë, duke e cilësuar si shqetësuese për të gjithë qytetarët e vendit.

Para fillimit të seancës së 42-të konstituive të Kuvendit, Sadriu tha se ndonëse ndodhia ka ngritur tensione, ajo vazhdon të ndjehet e sigurt dhe ka theksuar rëndësinë që institucionet të garantojnë sigurinë maksimale.


“Jo, ishim të shqetësuar si të gjithë qytetarët e Kosovës. Shpresoj shumë që mos të ndodhë më. Ne i bëjmë thirrje LVV-së që ta respektojë rendin, atë e ka thënë Gjykata Kushtetuese dhe shpresojmë që kjo të ndodhë”, tha ajo për mediat.

Sadriu theksoi po ashtu se shteti duhet të sigurojë që institucionet funksionojnë normalisht dhe pa kërcënime: “Shpresoj që policia ta ketë sqaruar. Është e rëndësishme që shteti të garantojë që institucionet e veta mbajnë edhe seanca edhe mbledhje dhe kanë siguri të plotë. Ndihem absolutisht e sigurt”.

Deputetja e LDK-së përfundoi duke konfirmuar se janë të pranishëm në seancë për të votuar propozimin për kryetarin e ri të Kuvendit dhe shpresojnë që kjo të realizohet.

Kujtojmë që seanca e sotme, e cila ishte planifikuar të mbahej në ora 11:00, është shtyrë për në ora 20:00, pas alarmit për bombë që rezultoi i rremë.