Luiz Ejlli do të futet të shtunën në Big Brother VIP Albania 5?

Këngëtari Luiz Ejlli, fituesi absolut dhe një nga figurat më ikonike të historisë së Big Brother VIP, ka nxitur reagime të shumta pas një konference për media të mbajtur të martën në Prishtinë, ku deklaratat e tij lanë hapësirë për dyshime dhe pritshmëri të mëdha për atë që pritet të ndodhë së shpejti.
Gjatë paraqitjes së tij, Luizi u shpreh me rezerva se në një të ardhme shumë të afërt mund të ketë të reja lidhur me angazhimin e tij në formate reality, duke mos i mohuar thashethemet që kanë qarkulluar prej ditësh për një përfshirje të mundshme në “Ferma VIP”. Megjithatë, pas kësaj deklarate diplomatike fshihet një tjetër e vërtetë ekskluzive.
Sipas burimeve të sigurta pranë produksionit, të konfirmuara nga Prive By Liberta Spahiu, Luizi pritet të rikthehet këtë të shtunë në shtëpinë e Big Brother VIP me një mision special. Madje, bëhet e ditur se qëndrimi i tij nuk do të jetë thjesht një vizitë e shkurtër, por do të zgjasë disa ditë, duke pritur që prania e tij të trazojë ndjeshëm dinamikat brenda shtëpisë dhe të mbajë të gozhduar audiencën jashtë.
- YouTube youtu.be
Rifutja strategjike e Luizit vjen në një moment domethënës, pasi më 12 shkurt ai ka edhe premierën e madhe të filmit “Loja e fundit”, ku luan përkrah partneres së tij, Kiarës. Kjo lëvizje shihet si një kombinim i fuqishëm mes nostalgjisë së publikut dhe interesit aktual mediatik rreth figurës së tij.
Mbetet të shihet se çfarë ndikimi do të ketë rikthimi i Luiz Ejllit në rrjedhën e lojës, por një gjë është e sigurt: emocionet dhe nostalgjia e fansave që e ndoqën drejt fitores në sezonin e dytë do të rikthehen më të forta se kurrë më parë. /Telegrafi/






























































