Site icon Telegrafi

Lufta për tunelet e El Chapos, karteli i tij nuk është shkatërruar – me këto tunele fitojnë miliarda dollarë

Narko-bosi famëkeq Joaquin Guzman i njohur si El Chapo është duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm në një burg në SHBA, por lufta për tunelet e tij mes Meksikës dhe SHBA-ve tashmë ka futur në “kartelët e dy vendeve.

Narko-kartelët meksikanë që konsiderohen si organizatat më të rrezikshme kriminale në botë, tashmë kanë filluar betejat mes vete, pasi të gjithë po tentojnë të marrin nën kontroll tunelet që Guzman transportonte kokainën, heroinën dhe marihuanën në SHBA, transmeton Telegrafi.

Kujtojmë se El Chapo është shpallur fajtor më 12 shkurt të këtij viti në New York, kurse më 17 korrik i është kumtuar verdikti përfundimtar – ku tani ai vuan dënimin me burgim të përjetshëm.

Ai është dërguar në burgun e sigurisë së lartë ADX Florence në Kolorado, nga i cili deri më sot nuk është arratisur askush. Por, karteli i tij Sinaloa duket se nuk është shkatërruar dhe vazhdon të funksionojë.

Anëtarët e saj vazhdojnë të kontrollojnë rrjetin e tuneleve, përmes të cilëve për vite të tëra është transportuar droga nga Meksika në SHBA.

Tani kartelët tjerë kanë filluar luftën me njerëzit e El Chapos për të rimarrë kontrollin e kalimeve nëntokësore, me të cilat Guzman ka arritur të fitojë miliarda dollarë.

“Gjenden nga 10 deri në 50 tunele. Ndoshta jo të gjithë janë aktiv, por ata mund të riaktivizohen. Janë të ndërtuar në lokacione të ndryshme. Ky kartel kishte investuar para dhe mund për ndërtimin e tyre”, ka deklaruar Duncan Wood, drejtor i Institutit meksikan “Wilson Center”, për Daily Star.

Sipas tij kartelët nganjëherë marrin me “qira” tunelet e njëri-tjetrit, por shpesh luftërat zhvillohen për to. Aktualisht karteli më i fuqishëm përgjatë vijës kufitare që lidh Meksikën me SHBA-të është Los Zetas, që ishte themeluar nga ish-pjesëtarët e njësive speciale, por që me kalimin e kohës ishin rreshtuar në anën e gabuar duke u bërë kështu dorë e fuqishme e kartelit.

Muajve të fundit, veturat e blinduara të armatosura me pushkë automatike, po sulmojnë pompat e derivateve, por edhe patrullat policore dhe ushtarake. /Telegrafi/

 

 

 

 

Exit mobile version