LAJMI I FUNDIT:

Lufta për dijen është luftë për demokracinë

Lufta për dijen është luftë për demokracinë
-->

Aleko Miho

Prej ditësh studentët kanë dalë në rrugë për të kërkuar të drejtat e tyre të ligjshme! E gjitha kjo është një zemëratë që ka kohë që ndihet mes studentëve, por dhe mes nesh që punojmë me studentët si edukatorë të tyre. Nuk do të doja kurrë që të shkohej në rrugë për të përmirësuar arsimin dhe për të përfituar plotësimin e kërkesave! Por kur shumë shtigje reformimi dhe rrugëzgjidhje mbyllen, nuk mbetet tjetër veçse rruga. Nga kërkesat e studentëve të shkruara me shkrim dore, të shkruara gjithashtu në rrugë, vështirë të shohësh se çfarë dhe ndaj kujt është drejtuar zemërimi tyre! Pa dashur t’i imponohem kauzës së studentëve, dua të ndaj me gjithë studentët protestues se cilat janë disa nga shqetësimet tona në vite që lidhen ndoshta drejtpërdrejt edhe me cilësinë e shkollimit të studentëve, por dhe me peshën në financim që studentët dhe familjet e tyre mbajnë mbi supe. Qysh në fillim dua të theksoj se kjo kauzë nuk është vetëm e studentëve, por dhe e jona si botë akademike dhe e gjithë shoqërisë shqiptare.

Me keqardhje them se ne si shoqëri ende nuk po mbyllim një periudhë tranzicioni sa të vështirë aq dhe absurde. Shoqëria jonë ka pjellë dhe drejtohet nga një klasë politike tejet e dështuar, e kalbur dhe tepër korruptive, që gjithnjë e më shumë po bëhet qesharake me vizionin e saj në drejtimin e vendit, me rregullat që miraton përditë. Ndër të tjera, është një klasë tejet e përçarë dhe tepër konfliktuale. Nga mëngjesi deri në darkë politikanët tanë nuk dinë veçse të zihen me njëri-tjetrin, të shahen e të përbalten, në vend që të ulen bashkë dhe të zgjidhin hallet e mëdha që ka vendi, përfshirë këtu edhe arsimin. Nuk dua të flas për përgatitjen e tyre intelektuale, për arsimimin dhe gjithçka lidhet me të. Gjithë, politika sot është pastruar dukshëm nga fryma e shëndoshë intelektuale, dhe është e rrethuar nga persona ‘yes men‘, të cilët janë të pa aftë të ndikojnë në një reformim pozitiv, veçse të ngrënë dorë ose kartonin përpara shefit.

Janë pikërisht këto boshllëqe në përgatitjen dhe karakterin e tyre që drejtuesit e politikës sa vijnë në krye bëhen arrogantë dhe thumbojnë këdo që kanë poshtë tyre! Bëhen kompetentë në gjithçka, dhe në çdo zgjidhje, premtojnë pa masë, edhe atë që shumëkush kurrë nuk e beson! Ata sa marrin pushtetin humbasin përulësinë të dëgjojnë mendimin ndryshe, atë që një specialist mund ta dijë dhe bëjë më mirë! Ndër të tjera, ndër vite nuk kanë lënë gjë pa thënë ndaj botës akademike dhe injoruar gjithë shqetësimet në këtë sektor sa të brishtë aq dhe jetik për vendin! Nuk mungojnë rastet kur udhëheqësit tanë madje u japin mend edhe të tjerëve në rajon dhe botë për të zgjidhur edhe ata hallet e tyre! Pavarësisht se vetë ishin dhe mbeten ende të zhytur nëpër piramidat e pastrimit të parave, në mbjellje dhe tregti kanabisi, në mafien e ndërtimit, dhe në gjithë korrupsionin dhe kronikën e zezë që e shoqëron. Si përfundim e është pikërisht kjo klasë që e ka mbajtur vendin peng në një pasiguri për të jetuar! Dhe kush më tepër se të rinjtë, përfshirë këtu dhe studentët, mund ta ndiejnë këtë!

Konkretisht, klasa politike është sot sa zhgënjyese po aq dhe e dështuar në politikën e saj të vendimmarrjes dhe qeverisjes, në çështje kyçe të zhvillimit të vendit, siç janë arsimi dhe veçanërisht arsimi i lartë, por dhe në shëndetësi, në mjedis dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore, si dhe në vetë zhvillimin urban në vend. Ka shumë dëshmi për secilin nga këta sektorë që dhe vetë ju i njihni dhe provuar dhe mbi kryet tuaja. Por le të mbetemi tek arsimi i lartë. Mjafton të themi se në 30 vite tranzicion ligjin për arsimin e lartë mund ta kemi ndryshuar mbi 3 herë, dhe asnjëherë nuk kemi qenë të aftë të bëjmë një ligj të thjeshtë dhe të zbatueshëm për një vend të vogël si vendi ynë. Më absurdi dhe jo pak i kundërshtuar është edhe ligji aktual. Nuk do merrem me të, por duken pasojat e para, ku vendoset edhe protesta studentore! -Ndoshta nuk kemi parë gjë akoma, -si pohon shpesh Kryeministri ynë!

Nga gjithë kjo frymë, ajo që ka ardhur duke u theksuar në vite në ligjshmërinë tonë për arsimin e larë, është marrëdhënia ‘student-klient’. Thënë ndryshe, një student vështirë se shihet sot si një i ri, që duhet të formohet mirë, sipas aftësive të secilit. Sa më mirë të përgatitet në shkollë një i ri sot, aq më mirë është për veten, por dhe për të gjithë shoqërinë në vend, dhe pse jo, edhe për vetë rajonin. Sa më të zotë të jenë të rinjtë në shkollim në zanatet e tyre, aq më mirë mund t’i dilet ballë nevojave që ka vendi, por dhe më gjerë. Këto fjalë nuk është se nuk thuhen nga politika nëpër foltore, madje shprehen dhe më bukur se sa i kam shkruar unë. Por në praktikë e mbetemi vendi me buxhetin më të ulët për arsimin e lartë. As bëhet fjalë që nga buxheti të jepet diçka për kërkimin shkencor, si kërkojnë sot me të drejtë studentët. Për ata që ende nuk e dinë, arsimi i lartë publik punon me 400-450 Euro në vit të ardhura për student, kosto e cila është pjesërisht e mbuluar nga buxheti i shtetit, dhe pjesërisht nga tarifat e studentëve. Praktikisht nga buxheti i shtetit mbulohen sot vetëm pagesa e stafit mësimdhënës, por edhe kjo, jo për të gjithë muajt e vitit. Plotësimi tjetër i nevojave bëhet nga pagesat e tarifës së shkollimit dhe nga pagesat e tjera që bëjnë vetë studentët. Këtu përfshihet edhe neni famëkeq që nxiti këtë protestë për pagesë shtesë për kreditet e mbartura, i cili është menduar të ‘shëndoshë’ disi të ardhurat në institucionet publike, gjithmonë nga xhepi i studentëve dhe jo nga buxheti.

Kjo frymë marrëdhënieje kienteliste, ligjërisht e mbështetur, ka bërë që universitetet publike të shtojnë kuotat e pranimit në vite, tej kapaciteteve që kërkon një mësimdhënie cilësore. Shumë thjesht – sa më shumë studentë aq më shumë të ardhura në institucion! Punë e madhe se bie cilësia! Qeveria asnjëherë nuk ka parë nga ana e saj detyrimin për të shtuar mbështetjen financiare, mbështetjen në infrastrukturë, ndaj shtimit të numrit të studentëve. Por në heshtje dhe me rregullat e saj e ka ndihmuar më tej këtë frymë rënie në arsimin e lartë. -Ku t’i gjejmë fondet – do thotë Kryeministri? -Ne nuk jemi lopë që mund të milemi pa fund! -me atë ironinë e tij. Por mjafton që Sheshi Skënderbej të mos ribëhet sa herë ndërrojnë pushtetet!!! Shumë fasada të tjera të investuara me shumë kosto mund të kursehen për të plotësuar nevojat në arsim, pse jo dhe në shëndetësi. Rezultatet nuk merren vetëm me fjalë të bukura dhe ca ligje dhe rregulla në letër! Ku janë premtimet e dhëna me shumë bujë!

Kemi mbi 20 vjet që fjala ‘Kampus’ u lakua nga rektorët e radhës në programet e tyre, u animua në faqen e UT-së në mënyrë marramendëse, por asnjëherë nuk u bë realitet. Ku mund t’i gjejë fondet universiteti për të plotësuar nevojat e veta për infrastrukturë? Asnjëherë qeveria nuk u ndal seriozisht në shtimin e hapësirave dhe kushteve qoftë nëpër fakultete, ashtu edhe nëpër konviktet ku studentët strehohen, vetëm një pjesë e tyre, se të tjerët paguajnë rëndë edhe për këtë. Ministritë përgjegjëse ishin të kënaqura që institucionet publike shtonin kuotat për të tërhequr studentët, por kanë vepruar ndryshe me fondet, duke i ulur ato. Universiteti publik u la në vite nga politik bërja në varfëri, jashtë çdo lloj mbështetje, duke e lënë atë të bjerë në korrupsion, në nepotizëm, në klientelizëm që për fat të keq kanë lulëzuar mes nesh! Nuk ka munguar këtu as ironia, sarkazma dhe përbaltja ndaj botës akademike publike. Kjo është ndihmuar edhe nga zhurmues të tjerë jashtë politikës, kjo edhe me qëllime të errëta, edhe pse shumë prej tyre kanë të veshur konstumin e dijes të qepur në vetë këto institucione publike.

Po ka edhe më keq në këtë pranim studentësh nëpër universitetet tona! Asnjëherë ministria sot, por dhe në të kaluarën, nuk ka bërë parashikime se cilat janë nevojat tona për të arsimuar me shkollë të lartë, në cilat degë, të bëjë si duhet shpërndarjen e kuotave në gjithë sistemin publik dhe privat bashkë, të përcaktojë sa është kostoja në vend për secilin student për një arsim sipas kërkesave, cilat janë standardet që duhet të përmbushen, etj. Ministria nuk ka bërë rolin drejtues në këtë, atë që realisht i takon një ministrie përgjegjëse për arsimin në lidhje me hapjen e institucioneve, sasinë dhe cilësinë e tyre, hapjen e diplomave të reja, sasinë dhe cilësinë e tyre, koston për secilin rast, sasinë dhe kush do të mbështesë për mbajtjen e tyre. Shumëkush nga ministria mund të thotë se i kemi shkruar këto të gjitha në letër! Po, tepër të paqarta dhe kontradiktore, dhe për më tepër nuk janë zbatuar si duhet në vite deri sot! Por gjithmonë është thënë ‘hajde të gjithë të shkojmë në universitet, ka vend për të gjithë, për të marrë një diplomë, pa punë e madhe se sa ajo nevojitet’. Sot prodhojmë juristë, ekonomistë, mësues, e të tjerë specialistë të lartë, sa nuk ka nevojë as Europa e madhe, dhe jo Shqipëria! Me këto rregulla dhe këtë vision shoqëria ushqen vetë papunësinë funksionale. Tepria në diploma, sado cilësore që ato të jenë, sjell që shumë të rinj të rrinë pa punë pasi nuk janë të aftë të bëjnë shumë punë të tjera të dobishme në këtë vend, veçse atë të diplomës universitare të përftuar.

Por nuk mjafton sa më sipër, ligji aktual i arsimit të lartë vendos rregulla tepër absurde në drejtimin e universiteteve publike. Kjo lidhet me dyzim pushtetesh në universitet, botë akademike-administrim, shtim veprimesh burokratike në përdorimin e fondeve, në një rregullore zgjedhore ‘bardhezi’, dhe shumë të tjera paudhësi që burojnë nga ky ligj dhe aktet nënligjore të tij. Për më tepër, shumë akte që kanë dalë për zbatimin e ligjit kanë qenë tepër të vonuara, tepër kontradiktore, dhe aspak në drejtim të përmirësimit të cilësisë. Përkundrazi e kanë ulur atë më tej. Shumë rregulla në arsimin e lartë, përfshirë këtu dhe vetë rregulloren e zgjedhjeve, nuk ndihmojnë aspak zhvillimin e demokracisë në universitet, nuk nxisin aspak punën mes stafit mësimor-shkencor.

Në këtë varfëri financiare dhe rregullash pa kuptim, universitetet publike (po dhe ato private!) më shumë e kanë pasur vëmendjen tek mësimdhënia, ku më shumë pedagogu universitar është sot një mësues, duke anashkaluar dukshëm kërkimin. Edhe pse të dyja në universitet janë të lidhura ngushtë dhe plotësojnë njëra-tjetrën për një cilësi sa më të mirë në diplomim, por edhe për përmbushjen e nevojave të vendit për dije. Por ajo që është më e rëndësishme për protestën studentore sot është pengesa e zhvillimit të autonomisë brenda vetë institucionit, dhe shpërdorimi i tepruar fondeve; edhe pse tepër të pakta ato përsëri përdoren për së shumti, pa mundur të plotësojnë edhe ato pak nevoja që secili prej nesh mund të ketë për një zhvillim të mirë të procesit mësimor. Mjafton t’ju them se kam mbi 30 vjet në universitet dhe nuk kam marrë nga administrate një top letër shkrimi. Megjithatë, kush është i aftë ka mundur të gjejë ndonjë burim tjetër financimi, ndonjë projekt mësimor-kërkimor, apo ndonjë burim tjetër me interes edhe për vetë cilësinë e mësimit. Por edhe në këto raste zbatimi i një projekti nuk është aspak i lehtë nga rregullat tona të brendshme, të shkruara dhe të pashkruara! Të gjitha këto kërkojnë pa diskutim zgjidhje nëse vërtet duam ndryshim cilësor në arsim.

Por gjithë këto nuk janë të vetmet paudhësi në shoqërinë dhe politikën tonë! Jemi vendi më absurd në botë që në gjithë këta vite mbajmë në punë mbi 40 institucione të arsimit të lartë (16 publike dhe 26 private)! Hapja dhe i ashtuquajturi akreditim i tyre është njëlloj si dhe hapja dhe përurimi i një biznesi të rëndomtë në ekonomi, pa menduar fare për cilësinë në mësimdhënie, për mbështetjen e tyre, por edhe për kontrollin për një mësimdhënie cilësore. Universiteti publik me gjithë hallet që ka përsëri mban peshën më të madhe për sa i përket numrit të studentëve, por edhe për sa i përket cilësisë së mësimdhënies. Por sot kush e ka mundësinë mund të paguajë për fëmijën e tij që të ndjekë diplomën e pëlqyer në një nga shumë universitetet private që Agjencia e Akreditimit u ka dhënë të drejtën e veprimtarisë! Për fat të keq, kjo zgjedhje për shumë të rinj bëhet edhe verbërisht, në dëm edhe të cilësisë së diplomës! Të tjerët, duan apo nuk duan shkojnë te universiteti publik, sistem ky që si thashë më sipër është lënë në mëshirë të fatit për vite!

Studentët e sistemit privat nuk ndihen sot për ulje tarifash, për cilësi mësimdhënie, etj. Madje as stafi pedagogjik i tyre nuk bën zë për këtë! Ata e kanë pranuar vetë me zgjedhjen e tyre, gjithçka u merret që në fillim të vitit, jo pak po nga 2000 deri në 5000 Euro në ndonjë nga universitetet private ‘elitare’. Në këta institucione nuk ka nevojë për pagesë shtesë për provimet e mbartura! Madje nuk kam dëgjuar nëse ka realisht provime të mbartura! Kuptohet me një shumë të tillë të ardhurash që është 5 deri 10 fish i asaj me të cilën punojnë sot universitetet publike të gjithë janë të kënaqur. All are happy!, si studentët që hyjnë ‘të rruar e qethur’ mirë, dhe të tillë dalin, por dhe pedagogët që japin aty mësim i shoh të lumturuar përsa i përket pagës dhe kushteve të punës, dhe natyrisht më të kënaqur janë pronarët në këtë biznes fitimprurës të dijes të mbrojtur nga ligji! Kuptohet, me gjithë këtë pagesë që paguhet edhe tek këta institucione as që bëhet fjalë për punë shkencore.

Nga sa më sipër mendoj se kjo klasë politike duhet të reflektojë shumë për këtë gjendje, sidomos sot që është edhe dita e Rinisë! Qeveria Rama, vetë Kryeministri dhe Ministria Nikolla mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë sot për këtë gjendje, për këtë revoltë. Kjo që kulmon sot me daljen e të rinjve në rrugë ka herët që ka nisur! Veza ndaj Kryministrit Rama, bojë në fytyrë ndaj Minsitres Nikolla etj., janë sinjale që miopia e pushtetarëve nuk i ka vlerësuar, nuk i ka analizuar për të mbajtur qëndrim në zgjidhjen e tyre. Jemi një vend i vogël, tepër i vuajtur, por dhe tepër i etur për dije. Le të ulemi dhe ta shohim njëri-tjetrin drejt në sy, pa paragjykime dhe përbaltje, por me shumë këmbë në tokë dhe përulje. Të bëjmë më të mirën për të ndihmuar atë që duhet dhe aq sa duhet. Asnjëherë nuk është vonë për këtë! Arsimi, veçanërisht arsimi i lartë, është faktor kyç për ekonominë dhe mirëqenien e vendit. Lufta për dijen është luftë për demokracinë! Unë i përgëzoj dhe mbështes gjithë studentët në këtë ditë dhe muaj të shënuar për demokracinë shqiptare. I përgëzoj edhe për kulturën e tyre të protestës, qytetari nga e cila duhet të mësojmë të gjithë, veçanërisht politikanët tanë dhe vendimmarrja. Kam shumë besim në rrugëzgjidhjen studentore!