LAJMI I FUNDIT:

Lufta kundër monumenteve historike

Lufta kundër monumenteve historike

Nga: Salajdin Salihu

Gjatë viteve ‘30-të të shekullit të kaluar u shkatërruan shumë monumente historike me pretekstin e “modernizimit të Serbinë Jugore” dhe “çlirimit nga e kaluara e errët”. Pamjet e qyteteve u ndryshuan rrënjësisht. Me gurët e monumenteve historike u ndërtuan rrugica periferike. Në Tetovë, më 1933, u rrënua Kulla e Sahatit, e ndërtuar ndërmjet shekujve XVI dhe XVII, e cila nga udhëpërshkruesit ishte quajtur “veçanti e qytetit”. Rrënimi u bë me pretekstin se shembja e papritur mund ta rrezikonte jetën e banorëve.

Ministria e Ndërtimit e Mbretërisë Jugosllave solli në vitin 1933 një vendim edhe për rrënimin e Hamamit dhe Urës së Gurit në Tetovë. Në këtë hapësirë, sipas vendimit, do të ndërtohej një urë, e cila do të mundësonte qarkullim më të madh mallrash.


Vendimi për shkatërrimin e monumenteve historike ishte kundërshtuar nga banorët pa dallim përkatësie etnike e fetare. Pati reagime edhe në shtypin e kohës. Një autor me pseudonimin “Kronisti” shprehu shqetësim për shkatërrimin e pjesës së vjetër të Tetovës.

“Tetova e vizituar nga shumë turistë të huaj është joshëse për shkak të pamjes orientale (xhamive, minareve, konakëve, qytetit të vjetër në Kala, teqeve dhe arkitekturës së vjetër). Prej nga e gjithë kjo dashuri për Tetovën? Kjo dashuri lidhet me veçantitë e rralla që shfaqen aty me gjithë reflektimin e tyre… Pas luftës është dëmtuar e gjithë pjesa e vjetër, pavarësisht nëse ka vlerë historike ose jo. Është shkatërruar gjithçka, sepse është lënë në vullnetin e individëve, pa asnjë kuptim për vlerat. Shpesh ata janë nisur nga qëllimet praktike”, shkruan “Kronisti”, që e kundërshton edhe vendimin për shkatërrimin e Hamamit dhe Urës së Gurit në Tetovë.

“Thuhet se së shpejti do të rrënohet Hamami i qytetit (banja publike) dhe Ura e Gurit mbi lumin Shkumbin (në origjinal: Pena), sepse aty do të ndërtohet një urë e re prej hekuri, e cila do ta lidh rrugën e re “Karagjorgjeva” me rrugën “Vojvoda Stepe”. Ura e Gurit ka vlerë të veçantë dhe shërben mrekullisht për trafik pa e penguar ndërtimin e dy urave përballë njëra – tjetrës… Me rrënimin e monumenteve, Tetova pushon së qeni atraksion dhe e humb vlerën karakteristike… Verën e kaluar këtu ishte edhe piktori gjerman z. Helmut Kromeri. Ai, pasi u kthye në Berlin, dërgoi atje shumë piktura dhe hapi ekspozitë me motive nga Serbia Jugore. E përsëris: Pollogu klasik dhe Tetova e mahnitshme nuk guxojnë të ngelin pa monumentet e tyre, sepse janë pjesë e vlerave të saj. Si shembull mund të na shërbejnë vizitat e të huajve që vijnë këtu përgjatë vitit”, thuhet në reagimin e “Kronistit”, i botuar në 15 tetor të vitit 1933 në gazetën “Pravda”.

Presioni qytetar i detyroi autoritetet serbe ta anulonin vendimin, por autoritetet vendore vazhdonin të lejonin shkatërrimin ose dëmtimin e vlerave kulturore dhe historike në qytet.

Në një shkrim të botuar më 21 nëntor të 1935 në gazetën “Vreme”, thuhet: “Secili që e viziton Tetovën dhe dëshiron t’i sheh veçantitë e saj, ne ia tregojmë Xhaminë e Larme, urat shekullore të gurit, Harabati Baba Teqenë dhe konakët e Pashait, zotëruesi i të cilëve deshi ta bënte Kalkandelenin (Tetovën) seli të një sulltanati të ri”.

Sipas artikullit, komuna e kishte blerë një konak të pashait për ta bërë muze, por ia kishte ndryshuar brendinë. Nga kopshti ishte larguar çezma prej mermerit të bardhë dhe disa pjesë tjera pranë ndërtesës. Kopshti i luleve, i ruajtur me kujdes, ishte rrafshuar. Të njëjtin fat e kishte edhe konaku tjetër i Abdurahman Pashës, i cili ishte blerë nga avokati Sima K. Momiroviqi.

“Natyrisht z. Momiroviqi, që dha shumë para, dëshironte të kishte më shumë dobi nga prona. Ai e rinovoi dhe e rindërtoi atë, duke i dhënë konakut pamje krejtësisht të re. Selamllëku i dikurshëm me zyrën e Pashait, ku ishte skrivania dhe ku hatibët gjysmë analfabetë me këmbët e mbledhura përfund saj shkarravitnin nëpër letra, është rinovuar në tërësi, është suvatuar nga jashtë e nga brenda. Ka mbetur vetëm haremi i dikurshëm, shumë i përmendur dhe kulla e rojës që dominon në anën e djathtë të varoshit. Por nga ajo është hequr gjithçka që deri para pak kohësh na e kujtonte epokën feudale të “mjerimit turk”. Konaku i tretë, me gjithë ndërtesat, iu dha si zyrë Seksionit të Kadastrës, kurse në konakun e katërt është vendosur shkolla fillore ‘Vuk Karaxhiqi’”, thuhet në artikull.

Shkatërrimi i monumenteve kulturore dhe historike vazhdoi gjatë kohës së Jugosllavisë federale. Mjerisht kjo frymë shkatërrimtare ndjehet edhe sot e kësaj dite. /Portalb/