Lizzo: E humba virgjërinë në të 30-at, pasi fitova një çmim 'Grammy'

Lizzo ka zbuluar se për herë të parë ka pasur marrëdhënie seksuale vetëm në të tridhjetat, duke përmbushur kështu një premtim që ia kishte dhënë vetes dy dekada më parë. Këngëtarja, e cila sot është 37 vjeç, pranoi se kishte vendosur të mos flinte me askënd derisa të fitonte çmimin prestigjioz muzikor Grammy.
“Kur isha më e re, i premtova vetes se nuk do të flija me askënd derisa të fitoja një Grammy”, tha ajo në podcastin “Friends Keep Secrets”, duke surprizuar moderatorët Benny Blanco, Lil Dicky dhe Kristin Batalucco.
Lizzo fitoi çmimet e saj të para Grammy në vitin 2020, kur mori tre trofe: për performancën më të mirë solo pop me këngën “Truth Hurts”, për albumin më të mirë urban bashkëkohor “Cuz I Love You”, si dhe për performancën më të mirë tradicionale R&B me këngën “Jerome”.
- YouTube youtu.be
Megjithëse nuk e përmbushi këtë premtim po atë natë pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve, kjo ndodhi pak kohë më vonë.
Para se të vinte ai moment, këngëtarja kishte fshehur për një kohë të gjatë të vërtetën. “Kam gënjyer për këtë për shumë kohë”, pranoi ajo. “Ndihem sikur më ka rënë një gur nga zemra”.
Ajo kujtoi edhe një moment të sikletshëm me shoqet gjatë studimeve në Universitetin e Houstonit. “Një mbrëmje ishim vetëm vajza dhe dikush më pyeti: ‘Prit, Lizzo, a je e virgjër?’ Më kujtohet se menjëherë thashë: ‘Jo!’ Ishte shumë e sikletshme. Shtova: ‘I dua shumë djemtë...’ dhe kjo histori më ndoqi për një kohë”, tregoi ajo.

Lizzo e përshkruan veten si një person që “u zhvillua vonë”, duke zbuluar se puthjen e parë e ka dhënë vetëm në moshën 21-vjeçare. Ajo shpjegoi se arsyeja lidhej me besimin fetar. “Si adoleshentë në kishën time, të gjithë u zotuam se nuk do të bënim asgjë para martesës. Pastaj thjesht fillova të kisha shumë frikë. Përveç kësaj, askush nuk donte të më puthte”, tha ajo.
Kur më në fund ndodhi, përvoja, sipas saj, ishte “e tmerrshme”.
“Në fakt u mërzita shumë për këtë,” u shpreh ajo. “Ishte për Vitin e Ri dhe ai ma imponoi disi atë puthje. U zemërova dhe mendova: ‘M’u prish puthja e parë.’ Ishte vërtet zhgënjyese”.

Këngëtarja është në një lidhje me komedianin Myke Wright që nga viti 2021. Ata u njohën që në vitin 2016, kur bashkë prezantonin emisionin muzikor “Wonderland” në MTV, por atëherë, sipas saj, nuk ndodhi asgjë mes tyre.
“Kam një rregull që të mos përzihem me burra me të cilët punoj... kjo është e ndaluar,” shpjegoi ajo. /Telegrafi/






























































