Sot u mbajt seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare.

Kuvendi zgjodhi po ashtu nënkryetarët. Nënkryetarë u zgjodhën Ardian Gola nga LVV-ja, Vlora Çitaku nga PDK, Kujtim Shala nga LDK, Emilia Rexhepi nga grupi multietnik dhe Slavko Simiq nga Lista serbe.


Seanca konstituive u udhëhoq nga deputeti më i vjetër, që në këtë legjislaturë është Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa deputetja më e re, Fatma Taçi nga KDTP, shërbeu si ndihmëse në hapje të punimeve.

- YouTube www.youtube.com

11/02/2026 18:10- Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës zgjodhën sot për kryetare Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje.

Haxhiu u zgjodh kryetare e legjislaturës së dhjetë me 66 vota për, 44 kundër dhe 8 kanë abstenuar.

11/02/2026 18:09- Albulena Haxhiu propozohet për kryetare të Kuvendit

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje e propozoi deputeten Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit.

Propozimi i Haxhiut për kryetare të Kuvendit u bë nga deputeti Glauk Konjufca.

Përveç kryetarit sot në rend dite do të jetë edhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

11/02/2026 18:05- Betohen deputetët e Kuvendit të Kosovës

Pasi Komisioni i përkohshëm verifikoi kuorumin dhe mandatet, deputetët e kuvendit të Kosovës dhanë betimin.

Në deklaratën e betimit thuhet se deputetët do të kryejnë detyrën me dinjitet dhe në interes të Kosovës.

“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë shtetasve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit. Betohem!”, thuhet në tekstin e betimit.

Secili deputet do ta nënshkruaj deklaratën e betimit.

11/02/2026 18:03- Seanca konstituive, betohen deputetët e Kuvendit të Kosovës

Komisioni i përkohshëm konstatoi kuorumin dhe mandatin e deputetëve.

Pas këtij konstatimi, deputetët do të japin betimin.

Kryesues i këtij Komisioni ishte Adnan Rrustemi.

“Komisioni konstaton se në legjislaturën e dhjetë janë certifikuar 120 deputetë”, tha ai, duke shtuar se është konstatuar edhe vlefshmëria e mandatave.

Në seancë konstituive janë 118 deputetë, duke propozuar kështu vazhdimin e punimeve të seancës konstituive.

11/02/2026 17:41- Seanca konstituive, themelohet Komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve

Kuvendi i Kosovës themeloi Komisionin e përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve. Komisioni u themelua me 108 vota për, aq sa ishin të pranishëm

Në komision nga Lëvizja Vetëvendosje që do të jetë edhe kryesues i Komisionit u propozua Adnan Rrustemi.

Nga Partia Demokratike e Kosovës është deputeti Përparim Gruda, ndërkaq nga Lidhja Demokratike e Kosovës anëtar i Komisionit është Armend Zemaj.

Nga Lista Serbe është Sërgjan Popoviq.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është Albana Bytyçi.

Edhe partitë tjera në Kuvend do të përfaqësohen nga një deputet në këtë Kuvend.

Komisioni do të mblidhet për raportin, për rreth 15 min. /Telegrafi/

11/02/2026 17:29- Nis seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

Ka nisur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Seanca po kryesohet nga deputeti më i vjetër i Kuvendit, Avni Dehari.

Në rend dite është formimi i komisionit për verifikimin e mandateve, betimi i deputetëve dhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarit.

Siç është bërë e ditur e propozuar për kryetare do të jetë Albulena Haxhiu.

11/02/2026 17:28-11/02/2026 17:51- Tahiri: Kosova ka humbur shumë për një vit bllokimi

Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri para fillimit të seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës deklaroi se Kosova ka humbur shumë për një vit bllokimi të legjislaturës së nëntë.

Tahiri beson se sot do të bëhet konstituimi i Kuvendit.

“Sot po e nisim një seancë konstitutive e cila është e rëndësishme. Kosova ka humbur shumë për një vit bllokimi të legjislaturës së kaluar, besojmë se sot do të konstituohet”, tha Tahiri.

11/02/2026 17:27- Zemaj: S’do ta votojmë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj para nisjes së seancës konstituive tha se LDK-ja kërkon formimin e institucioneve të reja.

Ai theksoi se pa marrëveshje politike nuk votojnë Albulena Haxhiut për kryeparlamentare.

“Ne do të marrim pjesë në votim. Votimi është i hapur. Janë tri mënyra të votimit: për, kundër, abstenim. Ne do ta zgjedhim atë të cilën e kemi përcaktim. E thashë që pa marrëveshje politike, nuk votojmë, marrëveshjet politike sigurisht.

Kërkojmë të kemi konstituimin e institucioneve, por për emrat e përveçëm, i takon partisë fituese edhe t’i sigurojë votat, sigurisht, por edhe të krijojë mundësitë që t’i kemi institucionet e reja, që të mos vazhdojë me atë bllokadën që e kishim fatkeqsisht vitin e kaluar. Ne asnjëherë nuk i kemi lidhur vendimet tona për emrat e përveçëm, por pa marrëveshje politike nuk votojmë asnjë kandidat”, u shpreh Zemaj.

11/02/2026 17:26- Kurti: Synojmë konstituim të suksesshëm të Kuvendit dhe formim të qeverisë së re

Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se po synojnë konstituim të suksesshëm të legjislaturës së dhjetë dhe formim të qeverisë së re.

Ai duke hyrë në ndërtesën e Kuvendit për seancën konstituive u deklarua shkurt para mediave.

“Po synojmë të jemi të suksesshëm në konstituimin e Kuvendit dhe më pastaj formimin e qeverisë”, tha ai.

11/02/2026 17:02- Çitaku: Do të kërkojmë Rezolutë për procesin në Hagë, në seancën e parë pas konstituimit, së bashku me marrëveshjet ndërkombëtare


Partia Demokratike e Kosovës, në seancën e parë të punës legjislaturës X të Kuvendit, që sipas tyre do të mbahet të enjten do të kërkojnë që të votohet edhe rezoluta e përgatitur nga ekspertë të pavarur, në mbrojtje të krerëve të UÇK-së dhe të dinjitetit të luftës sonë çlirimtare, krahas marrëveshjeve ndërkombëtare.

Kështu theksuan deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku dhe Përparim Gruda, në një konferencë për media para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit.

Çitaku tha se çlirimtarët që po gjykohen në Hagë, duhet ta kenë një shtet që i mbron me ligj, me institucione dhe me zë të qartë politik.

“Nesër, në seancën e parë të punës së këtij Kuvendi, do të kërkojmë që, krahas marrëveshjeve ndërkombëtare, të votohet edhe rezoluta e përgatitur nga ekspertë të pavarur, tashmë e deponuar në Kuvend, në mbrojtje të krerëve të UÇK-së dhe të dinjitetit të luftës sonë çlirimtare”, theksoi Çitaku.

11/02/2026 16:48- Kusari Lila konfirmon: Albulena Haxhiu do të propozohet për kryetare të Kuvendit

Deputetja Mimoza Kusari Lila ka konfirmuar para nisjes së seancës konstituive se Albulena Haxhiu do të jetë kandidatja e Lëvizja Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit.

“Po besoj, edhe e propozuar edhe kryetare e Kuvendit”, tha ajo, kur u pyet nëse Haxhiu do të jetë e propozuara a LVV-së për kryetare të legjislativit.

11/02/2026 16:45- Kusari: Ka gjasa që sonte të jenë dy seanca

Deputetja Mimoza Kusari Lila ka thënë sot para nisjes së seancës konstituive se ka mundësi që sonte të mbahen dy seanca.

Ajo theksoi se sot është shumë e rëndësishme që sot të votohet për kryetarin, nënkryetarët dhe pastaj të mund të procedohet me qeverinë.

“...Është shumë e rëndësishme që sot të votohet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, për kryetarin e Kuvendit, nënkryetarët e Kuvendit, dhe pastaj të votohet qeveria që mund të procedojë me punë sa më parë... Ka gjasë që sonte të jenë dy seanca. Gjegjësisht sot të jenë dy seanca: njëra që fillon në orën 17:00, që ka të bëjë me organet e Kuvendit, dhe tjetra e cila fillon pastaj varësisht nga sa do të zgjasë kjo e para, që nuk besoj shumë”, tha ajo, duke vlerësuar qasjen bashkëpunuese të partive politike.

11/02/2026 16:08- LVV pritet të propozojë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit

Lëvizja Vetëvendosje pritet të propozojë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit të Kosovës.

Kështu merr vesh Telegrafi nga burime të saj.

11/02/2026 16:07- Rendi i ditës i seancës konstituive

Legjislatura e 10-të e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhet sot në orën 17:00 dhe sipas rendit të ditës e rregullores së Kuvendit janë katër pika në shqyrtim.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

Rendi i ditës i kësaj seance:

Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,

Betimi i deputetëve,

Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit,

Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit