Sot, më 9 nëntor në Kosovë është mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve lokale (balotazhi) në 18 komuna.

Balotazhi u mbajtë në 18 komuna të vendit, përfshirë: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë-Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.


Në këto komuna, qytetarët kanë pasur mundësinë të zgjedhin mes dy kandidatëve më të votuar nga raundi i parë i zgjedhjeve lokale.

Sipas të dhënave preliminare nga 99% e vendvotimeve, kanë votuar 429,736 qytetarë, që përbën 32.64% të votuesve me të drejtë vote. Për krahasim në raundin e parë në këto komuna pjesëmarrja ishte 38.91%.

Telegrafi këtu e mbyll raportimin në këtë livefeed. Faleminderit që qëndruat me ne!

09/11/2025 19:57- Procesi i votimit në raundin e dytë përfundon pa incidente, pjesëmarrja 32.64%

Procesi i votimit në 18 komunat ku u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komune ka përfunduar sot në orën 19:00.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se votimi është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe pa incidente.

Sipas të dhënave preliminare nga 99% e vendvotimeve, kanë votuar 429,736 qytetarë, që përbën 32.64% të votuesve me të drejtë vote. Për krahasim në raundin e parë në këto komuna pjesëmarrja ishte 38.91%.

09/11/2025 19:50- Bali Muharremaj fiton sërish Suharekën

Exit-poll-i i publikuar nga T7 për garën për kryetar të Suharekës.

Bali Muharremaj nga AAK ka marrë 57.1% të votave.

Kurse, kandidati nga LDK, Ardian Shala ka marrë 42.9%.

09/11/2025 19:46- KQZ nis numërimin e votave, ky është rezultati në Prishtinë

Në ueb-faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë filluar të publikohen rezultatet e para të balotazhit.

Sipas rezultateve të para të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në garën për kryetar të Prishtinës, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Pëparim Rama, është në epërsi ndaj kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Hajrulla Çeko.

Deri në orën 19:34 të mbrëmjes së së dielës, janë përpunuar 2,461 vota, që përbëjnë 1.11 për qind të totalit prej 222,418 votave në komunën e Prishtinës.

09/11/2025 19:46- Gjilan, Alban Hyseni merr mbi 58 për qind

Exit Polli në Pressing në T7 tashmë ka publikuar matjet e veta për zgjedhjet e sotme të zhvilluara në Kosovë për kryetarë të 18 komunave, si pjesë e raundit të dytë.

Pjesë e këtyre matjeve është edhe komuna e Gjilanit, ku në balotazh janë Alban Hyseni nga VV dhe Arbër Ismajli nga LDK
Atje, sipas matjeve, Hyseni i VV i ka marrë 58.6% %

09/11/2025 19:44- Gara në Mitrovicë - Arian Tahiri 50.9%, Faton Peci 49.1%

Exit-poll-i i publikuar nga T7 për garën për kryetar të Mitrovica e Jugut.

Arian Tahiri (PDK) 50.9 % ndërkaq Faton Peci i Vetëvendosjes ka marrë 49.1 %.

09/11/2025 19:44- Ardian Gjini fitues në Gjakovë

Qytetarët e Kosovës sot kanë votuar sot në zgjedhje lokale për balotazh.

Sipas EXIT POLL-it të realizuar nga TV Dukagjini dhe kompania UBO-Consulting del që në Komunën e Gjakovës fitues del të jetë Ardian Gjini nga AAK me 58.3%.


Kandidati i LVV-së Ardian Gola ka marrë 41.7%.

09/11/2025 19:44- Totaj fiton edhe një mandat në Prizren

Sipas të dhënave preliminare nga exit poll-i i UBO Consulting, në Prizren, kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj ka fituar edhe një mandat tjetër.

Totaj ka marrë rreth 56.8 % të votave.
Kurse kandidati i LVV-së, Artan Abrashi ka marrë 43.2% të votave.

09/11/2025 19:42- UBO Consulting publikon rezultatet e Exit-pollit: Përparim Rama fiton Prishtinën

Sot në 18 komuna të Kosovës është mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.

UBO Consulting ka publikuar rezultatet e exit-poll-it, sipas të cilave kandidati i LDK-së, Përparim Rama, ka marrë 54.1%.
Ndërsa, kandidati nga LVV, Hajrulla Çeku, ka marrë 45.9%.

09/11/2025 19:42- Policia thotë se raundi i dytë i zgjedhjeve kaloi qetë dhe pa incidente

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media thotë se ka zbatuar me sukses planin operacional të paraparë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor-balotazhi 2025, i cili kishte për qëllim ofrimin e sigurisë, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, në të gjitha komunat e përfshira në balotazh.

Në njoftim thuhet se "vlerësuar në aspektin e sigurisë, procesi zgjedhor deri në këtë fazë ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze".

"Angazhimi i zyrtarëve policorë në zbatim të planit policor, si dhe bashkëpunimi e koordinimi ndërinstitucional ka ndikuar në mënyrë pozitive që i tërë procesi zgjedhor të kalojë i qetë dhe pa incidente madhore që do të kishin penguar apo cenuar procesin zgjedhor", thuhet në njoftim.

09/11/2025 19:00- Janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit në 18 komuna

Në 18 komuna ku është zhvilluar raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, tashmë janë mbyllur qendrat e votimit.

Si rrejdhojë KQZ së shpejti pritet të dalë me rezultatet zyrtare të pjesëmarrjes së qytetarëve në këto zgjedhje.

09/11/2025 18:52- Raundi i dytë i zgjedhjeve drejt fundit

Në ora 19:00 pritet të mbyllën të gjitha qendrat e vendvotimit. Procesi i votimit ka shkuar qetë dhe pa incidente.

09/11/2025 17:57- Incident mes dy vëzhguesve në Korishë të Prizrenit, policia: Nuk lidhet me zgjedhjet

Incident mes dy vëzhguesve në Korishë të Prizrenit, policia: Nuk lidhet me zgjedhjet

Rreth orës 15:30, në fshatin Korishë të komunës së Prizrenit është raportuar një sulm verbal mes dy qytetarëve, të cilët ishin gjithashtu vëzhgues të zgjedhjeve.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi.

"Pas marrjes së informatës, policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe të dy personat janë ftuar në stacionin policor për intervistim”, ka thënë Bytyqi.

09/11/2025 17:17- Haradinaj: Në Junik po votojnë persona që s’janë banorë të komunës

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se shumë persona po marrin pjesë në procesin e votimit në Junik pa qenë banorë të kësaj komune.

Ai ka ftuar Prokurorinë të hetojë rastet, transmeton Telegrafi.


"Të dhënat tona nga shtabi në Junik, tregojnë se shumë persona po marrin pjesë në procesin e votimit në Junik pa qenë banorë të kësaj komune. Kujtojmë se një veprim i tillë përbën shkelje të ligjit dhe çdo rast i tillë do t’i përcillet institucioneve përkatëse, përfshirë Prokurorinë, për hetim dhe veprim, do të bëjmë padi për secilin person veç e veç", shkroi ai.

09/11/2025 17:15- Dalja në pesë komunat më të mëdha deri në orën 15:00, prin Prishtina dhe Mitrovica

Në 18 komuna të Kosovës është duke vazhduar raundi i balotazhit për zgjedhjet lokale të këtij viti.

Kur kanë mbetur edhe pak kohë deri në mbylljen e vendvotimeve, KQZ ka bërë të ditur se deri në orën 15:00 kanë votuar 21.75% apo 286 mijë e 318 votues.

Bazuar në të dhënat e KQZ-së deri në orën 15:00, dalja më e madhe në pesë komunat më të mëdha mund ta gjeni KËTU.

09/11/2025 16:28- AAK: Procesi zgjedhor po zhvillohet pa incidente të mëdha, zyrtarët shtetërorë të ndalin vizitat

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në një konferencë për media ka thënë se nga informatat që kanë nga shtabet zgjedhore në pesë komuna ku janë në balotazh, mbarëvajtja e procesit zgjedhor ka kaluar mrië deri më tani pa ndonjë incident të theksuar.

Besnik Tahiri nga AAK tha se po ashtu kemi parë një dalje të vogël në krahasim me raundin e parë të zgjedhjeve.

Tahiri shtoi se ka pasur edhe vizita të zyrtarëve që kanë funksione shtetërore, derisa bëri thirrje që të ndalen këto.

09/11/2025 16:28- “Votojmë së bashku me familjen”- LVV fton qytetarët të votojnë në orët e fundit

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë thirrje për qytetarët që të dalin për të votuar, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në orët e fundit të balotazhit.

“Tash janë edhe më pak se 4 orë nga përfundimi i votimeve sot. Lëvizja VETËVENDOSJE! ju fton që të niseni drejt e te klasa ku e keni të caktuar vendvotimin tuaj. Së bashku me të gjithë familjen. Sepse sot votojmë të gjithë. Me krejt familjen. Votojmë për komunën tuaj, për qytetin dhe lagjet tona,” thuhet në njoftimin e partisë.

09/11/2025 16:18- Forca të shtuara të policisë në Mitrovicë gjatë vizitës së Kurtit, pronari mbyll kafenenë për t'i shmangur tensionet

Është deklaruar Gani Haziri, pronari i lokalit ku do të shkonte sot kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ku dhe i njëjti i mbyll për shkak të simpatizantëve të PDK-së.

Në një prononcim për media, Haziri tha se lokalin vendosi ta mbyllte që të mos eskalonte situata mes dy simpatizantëve të partive, transmeton Klankosova.tv.

"Asnjë palë nuk ka kërkuar që të lirohet hapësira, por e pash që gjendja po dilte nga kontrolli, për mos me e u bë diçka më e madhe. Unë e mora vesh nga punëtorët e mi, më thanë që po vjen Albin Kurti. Por e pash që po eskalon situata, dhe për këtë arsye mbylla lokalin”, u shpreh ai.

Tutje, ai tha se as simpatizantët e PDK-së dhe as nga të VV-së nuk kanë protestuar për të dalë nga lokali i tij.

Lokali ku do të shkonte Kurti sot gjendet në lagjen “Tavnik” të Mitrovicës së Jugut.

09/11/2025 16:13- Çitaku: Disa persona me nevoja të veçanta kanë hasur në vështirësi gjatë votimit

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, në një konferencë për media ka folur raundin e dytë të zgjedhjeve që po mbahet në 18 komuna.

Çitaku, tha se procesi po zhvillohet qetë, derisa bëri thirrje qytetarëve të dalin në votime, transmeton Telegrafi.

“Kemi pranuar disa ankesa nga disa komuna, ku personat me nevoja të veçanta kanë pasur vështirësi për të votuar. Këto ankesa I kemi drejtuar në KQZ”, tha ajo.

09/11/2025 16:03- Pula: Dy personat e ndaluar në Fushë Kosovë për ryshfet mund të dënohen 1-5 vite burgim, edhe në Pejë kemi një rast cenim të votës

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula ka thënë se deri më tani nuk kanë pasur ndonjë incident shumë të madh të raportuar.

Pula ka thënë së është rasti në Fushë Kosovë ku dy persona janë ndaluar lidhur me veprën penale të marrjes dhe dhënies së ryshfetit.

“Personat janë ndaluar dhe kjo vepër mund të ndëshkohet me 1 deri në 5 vite burgim dhe hetimet ndaj tyre do të vazhdojnë. Meqenëse jemi në fazën e mbledhjes së informacioneve nuk do të lëshohesha në detaje”, ka thënë Pula në një linjë direkte për RTV Dukagjini.

Ajo ka shtuar se është evidentuar edhe një rast në Pejë, lidhur me veprën penale “cenim i fshehtësisë së votimit”.

09/11/2025 16:01- Kurti viziton kandidatët e Vetëvendosjes në Fushë Kosovë, Vushtrri e Mitrovicë - a po thyhet heshtja zgjedhore?

Kryeministri në detyrë dhe njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është parë sot në disa komuna ku po mbahet balotazhi.

Kurti pas votimit në Prishtinë ka vizituar Vushtrrinë, Mitrovicën, Fushë Kosovën, ku është parë në lëvizje gjatë ditës me kandidatët e LVV-së për kryetarë në këto komuna.

Në këtë ditë të zgjedhjeve, është në fuqi heshtja zgjedhore, dhe çdo dalje publike e përfaqësuesve politikë që mund të interpretohet si thirrje për votim bie ndesh me këtë parim.

Lajmi i plotë KËTU. /Telegrafi/

09/11/2025 15:48- Radoniqi: Deri në orën 15:00 kanë votuar 20.78% e qytetarëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur konferencën e radhës, ku ka dhënë detaje rreth pjesëmarrjes së votuesve në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se deri në orën 15:00 pjesëmarrja e votuesve është 20.78%, raporton Telegrafi.
Sa i përket votimit me asistencë, Radoniqi theksoi se kjo është e garantuar me ligj dhe rregullore, por për të shmangur parregullsitë, personat që votojnë me asistencë duhet të dëshmojnë me dokument përkatës.

09/11/2025 15:28- Dalja e votuesve në balotazh, 20.47% deri në orën 15:00

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pjesëmarrja në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që po mbahet sot në 18 komuna të Kosovës, ka arritur në 20.47% deri në orën 15:00.

Nga 1,316,672 qytetarë me të drejtë vote, deri në këtë orë kanë votuar 269,535 votues.

Sipas KQZ-së, janë procesuar 1,521 nga gjithsej 1,628 vendvotime, që përbën 93.43% të vendvotimeve të rregullta.

09/11/2025 15:06- EULEX monitoron sigurinë gjatë balotazhit në Kosovë

Ndërsa në Kosovë po zhvillohet raundi i balotazhit për kryetarë komunash, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) ka njoftuar se njësitë e tij janë në terren për të monitoruar situatën e sigurisë.

Sipas shefit të Misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, njësitë janë duke patrulluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.

“Ndërsa Kosova mban zgjedhjet e balotazhit për kryetarë komunash, Njësitë e Policisë së Formuar Rezervë dhe Njësitë e Policisë së Formuar të EULEX-it janë në terren, duke monitoruar situatën e sigurisë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”, ka shkruar Barbano.

09/11/2025 14:42- "Vallahi s'hi" - qytetari ia liron rendin për të votuar Vjosa Osmanit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shfrytëzuar të drejtën e saj për votë në balotazhin e zgjedhjeve lokale.

Teksa po priste rendin për të votuar, një qytetar ia lejoi asaj rendin e tij për të ushtruar më parë të drejtën e votës.

"Jo s'hi, vallahi s'hi", dëgjohet teksa thotë qytetari duke refuzuar të votojë para Osmanit.

Videon e gjeni KËTU.

09/11/2025 14:15- Pjesëmarrje e ulët në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale – vetëm 13.46% deri në orën 14:00

Në 18 komuna të Kosovës sot po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale për kryetarë komunash.

Sipas të dhënave më të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të përditësuara në orën 14:00, pjesëmarrja e votuesve deri në këtë orë është 13.46 për qind. Deri tani kanë votuar gjithsej 177 mijë e 225 qytetarë me të drejtë vote.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit dhe do të qëndrojnë të hapura deri në 19:00.

09/11/2025 13:50- LVV i reagon LDK-së për incidentin që ndodhi tek shkolla "Faik Konica"

Lëvizja Vetëvendosje – Dega në Prishtinë ka reaguar pas një incidenti të ndodhur paraditen e së dielës në qendrën e votimit të vendosur në shkollën “Faik Konica” në kryeqytet.

Sipas Vetëvendosjes, rreth orës 10:30, është vërejtur një person, i identifikuar si Art Merkoja – aktivist i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe zyrtar në kabinetin e kryetarit aktual të Prishtinës – i cili, sipas këtij subjekti, mbante një distinktiv me logon e LDK-së brenda hapësirës së qendrës së votimit, raporton Telegrafi.

Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu.

09/11/2025 12:41- Presidentja Osmani ushtron të drejtën e votës në Prishtinë: Kosova ka demokracinë më të fortë elektorale në rajon

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj Prindon Sadriu, ka kryer sot obligimin e saj qytetar duke votuar në Fakultetin Teknik në Prishtinë.

Pas votimit, presidentja u prononcua para mediave, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite zgjedhore dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin demokratik.

“Dita e sotme është po aq e rëndësishme sa raundi i parë. Qytetarët jo vetëm vendosin se kush do t’i udhëheqë për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë dhe për komunat ku ata jetojnë. Rrjedhimisht, shpresoj që secili nga qytetarët me të drejtë vote do ta shfrytëzojë këtë të drejtë dhe do të dalë sot në votime”, deklaroi Osmani.

“Kosova ka demokracinë më të fortë elektorale në rajon, dhe kjo është për shkak të pjesëmarrjes së qytetarëve tanë në votime, për shkak të rregullsisë së proceseve zgjedhore dhe sepse gjithnjë organizojmë zgjedhje të lira e demokratike”, shtoi ajo.

09/11/2025 12:37- ‘Incidenti’ mes Sveçlës dhe aktivistit të LDK-së, Krasniqi: Nuk pati asnjë shkelje të rregullave zgjedhore

Një incident në mes ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe një aktivisti që mbante emblemën e Lidhjes Demokratike të Kosovës jashtë rrethojave të shkollës “Faik Konica”, ka nxitur reagime.

Sveçla derisa po kalonte sheshit, afër rrethojave të shkollës “Faik Konica” ndaloi tek një aktivist i LDK-së, i cili mbante emblemën e partisë, duke i thënë se po shkelte rregullat zgjedhore. Pas kësaj, reagoi aktivisti duke i thënë se ndodhet jashtë rrethojave të shkollës, nuk guxon të bëjë fotografi dhe do të shihen në gjykatë.

E lidhur me këtë incident reagoi njohësi i procesit zgjedhor, Albert Krasniqi, i cili në një postim në Facebook shkruan se sipas rregullave zgjedhore të KQZ-së, hapësira e Qendrave të Votimit ku ndalohet të shfaqen materiale të fushatës zgjedhore përfshin vetëm hapësirën e brendshme të qendrës deri në rrethojat e saj.

Sipas Krasniqi, sot, ministri i Punëve të Brendshme, në vend se të garantojë rendin dhe sigurinë për të gjithë qytetarët njësoj, fotografon dhe kërcënon një zyrtar të një partie politike që po kalonte rrugës pranë një qendre votimi - pa asnjë shkelje të rregullave zgjedhore.

09/11/2025 12:17- Sveçla u ankua se aktivist i LDK-së theu heshtjen zgjedhore, reagon LDK: Shenjë e qartë e panikut dhe humbjes së kontrollit politik

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dënuar sjelljen siç e quan të papranueshme, arrogante dhe kërcënuese të deputetit Xhelal Sveçla ndaj një aktivisti i cili po qëndronte qetësisht në trotuar.

Kështu shkruan Besian Mustafa i LDK-së në një postim në rrjetin social në Facebook.

Në reagim thuhet se përveç tjerash Sveçla ka ndaluar atë dhe e ka fotografuar pa pëlqimin e tij, veprim ky i ndaluar me ligj dhe përbën shkelje të të drejtave themelore të qytetarëve.

“Një reagim i tillë, i shoqëruar me tone agresive dhe sjellje denigruese, është shenjë e qartë e panikut dhe humbjes së kontrollit politik të atyre që për vite kanë keqpërdorur institucionet e shtetit, e sot ndjehen të zhveshur nga mbështetja qytetare. Përballë qytetarëve dhe simboleve tona, z. Sveçla ka zgjedhur arrogancën në vend të maturisë, kërcënimin në vend të kulturës demokratike”, thuhet në reagim.

09/11/2025 11:46- Balotazhi, dalja e qytetarëve në votime deri në ora 11:00 është 6.13 për qind

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur sot konferencën e dytë me radhë, gjersa ka bërë të ditur deri në ora 11:00 kanë votuar 6.13 për qind e votuesve, ose 80 mijë e 659.

Ndryshe, sot qytetarët në 18 komuna po u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur udhëheqësit e tyre.

Vendvotimet janë hapur në ora 07:00, ndërsa mbyllen në ora 19:00.

Kryetarët e partive politike dhe kandidatët për kryetarë të komunave u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.

09/11/2025 11:40- Xhelal Sveçla ankohet se një person i LDK-së po thyen heshtjen zgjedhore

Xhelal Sveçla i ka reaguar një personi që mbante një emblemë të LDK-së në kraharorin e tij.

Anëtari i Vetëvendosjes i ka kërkuar qytetarit që të mos jetë rreth shkollës, pasi është kundër rregullave.

Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu.

09/11/2025 11:38- Përparim Rama pas votimit: Të fitojë më i miri

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e LDK-së dhe kryetari aktual, Përparim Rama ka ushtruar të drejtën për të votuar.

Fillimisht, Rama ka thënë se ai ishte në një ceremoni nderimi për trupat britanikë që kanë rënë duke luftuar për lirinë e Kosovës në luftën e fundit, më pas i është drejtuar kutive të votimit.

“I uroj të gjithë qytetarët për pjekurinë dhe maturinë për atë që kanë treguar gjatë këtyre zgjedhjeve”, deklaroi Rama, raporton Telegrafi.

09/11/2025 10:51- Abdixhiku: Sot vendimmarrja i kthehet sovranit, vendoset fati i qyteteve për katër vitet e ardhshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku votoi sot për kryetarin e ardhshëm të Prishtinës, gjersa theksoi se sovrani vendos për fatin e qyteteve për katër vitet e ardhshme.

Abdixhiku theksoi se qytetarët e Kosovës tregojnë standarde të larta gjatë proceseve zgjedhore.

“Sot në Kosovë, si gjithmonë zgjedhjet trajtohen dhe janë festë... Ditë e mirë dhe shpresojmë të jetë një proces i mbarë e i mirë siç ka diture gjithherë populli i Kosovës të sillet në proceset zgjedhore. Sot është dita kur vendimmarrja i kthehet sovranit dhe kështu vendoset fati i qyteteve tona për katër vitet e ardhshme.

Jam i lumtur për nivelin demokratik që si shoqëri tregojmë në proceset zgjedhore. Disa çështje i marrim të mirëqena, por më besoni se standardet e Ballkanit Perëndimor, besa edhe të Evropës mënyra si organizojmë zgjedhjet e i pranojmë zgjedhjet është mrekulli e veçantë demokratike me të cilën populli i Kosovës duhet të krenohet”, tha ai.

09/11/2025 10:22- Dalja e votuesve deri në orën 09:00 është 2 për qind

Tashmë ka filluar procesi zgjedhor për raundin e balotazhit në 18 komuna të Kosovës për Zgjedhjet Lokale.

Vendvotimet janë hapur në ora 07:00 sipas KQZ-së, ndërsa procesi deri më tani është duke u zhvilluar në mënyrë të rregullt.

Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu.

09/11/2025 09:39- Balotazhi, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit: Të raportohen të gjitha parregullsitë

Për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave, që po mbahen sot në vendin tonë, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

Kështu thuhet në njoftimin për media të Prokurorisë.

“Në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 80 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët po qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme lokale.

Prokurorët janë duke qëndruar në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula po e mbikëqyrë gjithë mbarëvajtjen e zbatimit të detyrave të koordinatorëve rajonal, prokurorëve të angazhuar dhe prokurorit me detyrë në KQZ.

09/11/2025 09:30- Çeku: Sot përmbyllim një cikël të gjatë zgjedhor – uroj katër vite të mbara për kryeqytetin

Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Hajrulla Çeku, ka votuar sot në kuadër të raundit përfundimtar të zgjedhjeve lokale, duke e quajtur këtë ditë një moment të rëndësishëm për kryeqytetin.

“Pas një procesi të gjatë sot po e përmbyllim këtë cikël të zgjedhjeve lokale me votë që është detyrim...uroj që sot të jetë një ditë e mbarë, dhe nga nesër e tutje të jenë katër vite të mbara për kryeqytetin”, ka thënë Çeku.

09/11/2025 08:57- Kurti voton në balotazh, fton qytetarët të vendosin për katërvjeçarin e ardhshëm

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka ushtruar të drejtën e tij për votë në këtë raund të dytë të Zgjedhjeve Lokale.

Kreu i Vetëvendosjes ftoi të gjithë qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre dhe të përcaktojnë se kush do t’i qeverisë për katër vitet e ardhshme.

Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu.

09/11/2025 08:17- KQZ: Votimi nisi pa probleme në të gjitha 1628 vendvotimet

Komisioni Qendror Zgjedhor ka mbajtur konferencën e parë rreth hapjes së vendvotimeve për raundin e balotazhit.

Valmir Elezi nga KQZ tha se të gjitha vendvotimet janë hapur në orën 07:00 dhe procesi po zhvillohet normalisht.

“Ju njoftojmë se në orët e hershme të ditës së sotme, materialet janë shpërndarë në kohë në të gjitha vendvotimet”, tha ai, raporton Telegrafi.

“Procesi i votimit në 18 komuna për kryetarë ka nisur me kohë. Sot procesi i votimit zhvillohet në 507 qendra, me gjithsej 1628 vendvotime, të cilat janë të hapura dhe 18 qendra të tjera, nga një për çdo komunë, për të mundësuar votimit me kusht”.

09/11/2025 07:21- Kryetari i KQZ-së, Radoniqi fton qytetarët të shprehin vullnetin e tyre përmes votës

mëngjesit në Pejë në shkollën “Lidhja e Prizrenit”, atëherë edhe kur u hap qendra e votimit, gjersa ka thënë se gjithçka është gati në ditën e zgjedhjeve.

Radoniqi para mediave ftoi qytetarët që të shprehin vullnetin e tyre përmes votës.

“Sot po fillojmë raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Çdo gjë është gati për të filluar votimi dhe për të ju ofruar qytetarëve që të shprehin vullnetin e tyre përmes votës. Ftoj qytetarët që të dalin për të votuar në këto 18 komuna. Të respektohet ligji për zgjedhje, po ashtu edhe rendi që i gjithë procesi të shkojë pa asnjë problem”, ka thënë ai.

Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu:

09/11/2025 07:19- Hapen vendvotimet në 18 komuna

Tashmë janë hapur vendvotimet në 18 komuna, ku do të zhvillohet balotazhi.

Vendvotimet janë hapur në ora 07:00 dhe do të jenë të hapura deri në ora 19:00.

Balotazhi zhvillohet në këto komuna: Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Prizren, Pejë, Klinë, Junik, Dragash, Gjakovë, Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Rahovec, Suharekë, Gjilan, Viti, Vushtrri, Mamushë

09/11/2025 06:49- Shteti në gatishmëri për balotazh, 80 prokurorë në terren

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton se për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave në Republikën e Kosovës, të cilat mbahen sot, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

Në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 80 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë.

Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.

09/11/2025 06:45- Policia me plan operativ për garantimin e sigurisë së përgjithshme gjatë balotazhit

Policia e Kosovës, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor për kryetar komune-balotazh, ka hartuar urdhrin operativ policor, ku janë bërë planifikimet e duhura policore lidhur me zgjedhjet, në aspektin e sigurisë.

Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor gjatë procesit të balotazhit, angazhimi dhe garantimi i sigurisë, transporti nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.

Policia e Kosovës ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces, si dhe hartimin e një udhëzuesi për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë balotazhit.

Policia e Kosovës njëkohësisht iu bën thirrje të gjithë drejtuesve të subjekteve zgjedhore dhe qytetarëve që për çdo informacion, apo çështje që ndërlidhet me aspektin e sigurisë të njoftojnë institucionet kompetente dhe Policinë e Kosovës, përmes linjës fikse dhe mobile: 192 ose në adresën elektronike info@kosovopolice.com si dhe në stacionet më të afërta policore, në mënyrë që të ndërmerren masat e menjëhershme ligjore.