Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka theksuar nevojën për durim dhe respektim të procesit ligjor, duke theksuar se partitë politike duhet të presin aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për të gjetur një rrugë të qartë drejt konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re.

Limaj, gjatë një deklarate për mediat, ka thënë se Gjykata Kushtetuese pritet të japë një aktgjykim që do të sqarojë jo vetëm procesin politik, por edhe mënyrën se si duhet të konstituohet Kuvendi në përgjithësi.


“Sot po shohim një vërshim të kërkesave nga deputetë dhe nga presidentja. Besoj që Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin që do të nxjerr, do ta pasqyrojë jo vetëm rrugën politike, por edhe për raste të tjera, se si duhet të konstituohet Kuvendi. Ndoshta, për interes të demokracisë dhe funksionimit të rendit kushtetues, është mirë që të presim aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese”, është shprehur Limaj.

Ai ka theksuar rëndësinë e formimit të një shumice qeveritare dhe ka kundërshtuar idetë e zgjidhjeve të pjesshme, duke nënvizuar se për të zgjidhja e drejtë qëndron te formimi i qeverisë me shumicë votash dhe jo vetëm zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

“Vazhdoj të them që shumica qeveritare është e domosdoshme, nuk ka zgjidhje parciale. Për mua, asnjëherë nuk ka qenë zgjidhje vetëm kryetari i Kuvendit, por formimi i qeverisë që ka shumicë votash për të pasur legjitimitet. Nisma do të japë kapacitetet tona për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjes. Ne kemi vetëm 3 vota, ndërsa duhen të paktën 58 vota për shumicën. Prandaj, është mirë që të fokusohemi në vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka shtuar Limaj. /Telegrafi/