LDK hap fushatën elektorale, Abdixhiku: Tek ne gjeni njerëzit që bëjnë shtetin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se në LDK ka njerëz që bëjnë aleanca me jashtë, jo që i mbyllin dyert me ta. Sipas tij në këtë parti, ka njerëz që e bëjnë shtetin e jo që e shkatërrojnë atë.
Këtë deklarim Abdixhiku e bëri me rastin e hapjes zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të tetorit 2025.
I pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku potencoi se Kosova meriton më shumë sesa ngecjen e përditshme që e merr sipas tij. Ai tha se vendi ynë meriton të ardhmen meriton zhvillim dhe shpresë.
Abdixhiku tha se LDK-ja nuk është si ata që sipas tij e kanë shkatërruar shtetin, janë bllokues historik e shkelësit të Kushtetutës.
“Tek ne gjenë njerëzit që bëjnë shtetin, jo që shkatërrojnë shtetin, tek ne gjenë njerëzit që duan Kushtetutën, jo që e shkelin atë. Tek ne gjenë njerëz që bëjnë aleanca me jashtë jo që i mbyllin dyertë me ta tek ne gjenë njerëz që e duan Kosovën më shumë se sa vetën”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku tha se sot nuk po nisin vetëm një fushatë zgjedhore, por një kryengritje shprese, e një kapitull të ri të qyteteve të Republikës.
Sipas tij, LDK-ja është shpresa e gjeneratave të ardhshme.
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama tha se transformimi kolosal i kryeqytetit ka ngritur themelet e tani po i vendos shtyllat.
“S’ka që na ndalë askush”, tha Rama.
Rama përmendi se qindra rrugë në kryeqytet janë rregulluar në mandatin e tij.
Ndër shumë premtime, Rama tha se do të bëhet policia e kryeqytetit.






























