LB: Të ndërpritet përkohësisht dialogu Kosovë-Serbi

“Përpjekja për të gjetur një zgjidhje për veriun e Kosovës në dialog me Serbinë, duke e heshtur çështjen e ndarjes së dhunshme të Mitrovicës dhe spastrimit etnik të shqiptarëve nga veriu i Kosovës; duke e heshtur çështjen e pazgjidhur të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, - pra, përpjekjet për të gjetur zgjidhje duke respektuar vetëm interesin e Serbisë përbën një rrezik me pasoja afatgjate si për Kosovën, ashtu edhe për shqiptarët në përgjithësi”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes për Bashkim.
Partia kërkon seriozitetin maksimal të Qeverisë së Kosovës dhe të spektrit politik shqiptar në lidhje me dialogun dhe pasojat e tij.
“Rruga më e mirë në këtë situatë do të ishte ndërprerja e përkohshme e dialogut, fillimi i menjëhershëm i konsultimeve të të gjitha forcave politike të Kosovës dhe të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës në lidhje me interesin kombëtar dhe shtetëror nga dialogu me Serbinë, si dhe hartimi i një platforme të përbashkët për bisedime, të cilën në fund do ta miratonim në Kuvendin e Kosovës”, vlerëson Lëvizja për Bashkim. /Telegrafi/




















































