FIFA e ka treguar topin e ri, i cili do të përdoret gjatë gjysmëfinaleve dhe finales së Kampionatit Botëror.
Topi quhet Al Hilm që në shqip do të thotë ‘Ëndrra’ dhe do ta zëvendësojë topin e përdorur deri më tani në ‘Katar 2022’ që quhej Al Rihla (Rrugëtimi).
Al Hilm do të debutojë gjatë ndeshjeve gjysmëfinale, ashtu që skuadrat kanë pasur vetëm pak ditë që të mësoheshin me topin e ri.
Në një deklaratë të FIFA-s thuhet se “Al Hilm përfshin të njëjtën teknologji të paprecedentë të Adidas, ‘Connected Ball’, sikurse Al Rihla”
Tutje është thënë se kjo teknologji ka qenë “e paçmueshme për të ndihmuar zyrtarët e ndeshjeve që të marrin vendime më të shpejta dhe më të sakta gjatë këtij Kampionati Botëror”.
Teknologjia ka lejuar që vendimet për pozitë jashtë loje të merren më shpejt, pasi gjyqtarët mund ta shohin momentin e saktë që topi është luajtur përpara.
Topi ndihmoi gjithashtu për të përcaktuar nëse Cristiano Ronaldo në të vërtetë kishte prekur topin gjatë harkimit të e Bruno Fernandes në fitoren e Portugalisë ndaj Uruguait. Sensori brenda topit u përdor për të thënë se superylli portugez nuk e dha prekjen e fundit – pavarësisht festimeve të tij.
FIFA thotë se dizajni i topit është frymëzuar nga kombi pritës dhe vetë trofeu i Kupës së Botës. Nick Craggs, menaxheri i përgjithshëm i futbollit të Adidas shtoi: “Al Hilm përfaqëson një fener drite mbi fuqinë e sportit dhe futbollit për të bashkuar botën”. /Telegrafi/