Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani ka bërë të ditur se falë reagimit të qytetarëve dhe angazhimit diplomatik, kompania ajrore Wizz Air ka korrigjuar përkatësinë e destinacionit Prishtinë, duke e ndryshuar nga “Priština” në “Prishtina” ose “Pristina”.

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti këtë e ka quajtur lajm të jashtëzakonshëm.


“Lajm i jashtëzakonshëm!

Falë reagimit të qytetarëve tanë dhe angazhimit tonë diplomatik, kompania ajrore Wizz Air ka korrigjuar përkatësinë e destinacionit Prishtinë, duke e ndryshuar nga ‘Priština’ në ‘Prishtina’ ose ‘Pristina’.

Ky është një shembull tjetër i qartë se reagimi qytetar dhe diplomacia aktive japin rezultate konkrete.

Nëse hasni ndonjë institucion apo kompani gjermane ku Republika e Kosovës apo qytetet tona nuk paraqitet në mënyrë korrekte, ju lutemi të na shkruani në embassy.germany@rks-gov.net, duke bashkëngjitur dëshmitë përkatëse, në mënyrë që këto pasaktësi të adresohen dhe korrigjohen.

Vazhdojmë së bashku drejt sukseseve të radhës!”, shkruan ai. /Telegrafi/