Kuvendi mban seancë solemne më 5 mars për 28-vjetorin e Epopesë së UÇK-së

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se në mbledhjen e Kryesisë është vendosur që të mbahet seancë solemne me rastin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Sipas saj, seanca do të mbahet më 5 mars, në orën 10:00, ndërsa përveç krerëve të shtetit, fjalën do ta kenë edhe përfaqësues të grupeve parlamentare.
Haxhiu bëri të ditur se në mbledhje është diskutuar edhe propozimi i sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit, por anëtarët e Kryesisë kanë kërkuar më shumë informacione për plotësimin e dokumentacionit.
Kjo çështje, sipas saj, do të trajtohet në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë.
Po ashtu, në mbledhje është diskutuar edhe për Projektligjin për parandalimin e dhunës në familje, i cili është nismë qytetare.
Kryesia është dakorduar që të takojë nismëtarët për të diskutuar më tej për qëllimin dhe përmbajtjen e kësaj iniciative.
Në rend dite, sipas Haxhiut, janë shqyrtuar edhe disa çështje të natyrës administrative. /Telegrafi/


















































