Kushtetuesja hedh poshtë kërkesën e Haxhiut për procedurën e zgjedhjes së Presidentit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka hedhur poshtë kërkesën e kryeparlamentares Albulena Haxhiu dhe nëntë deputetëve të tjerë, të cilët pretenduan se me mospjesëmarrjen në seancën e 5 marsit për zgjedhjen e presidentit, deputetët e opozitës shkelën Kushtetutën.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur lidhur me kërkesën me numër KO68/26, të parashtruar nga kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu dhe nëntë deputetë të tjerë të Kuvendit, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Gjykata, me vendim unanim, ka hedhur poshtë kërkesën e parashtruesve dhe njëkohësisht ka refuzuar edhe kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme, e cila synonte pezullimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
Sipas vendimit, Gjykata ka urdhëruar që ai t’u kumtohet palëve dhe të publikohet në Gazetën Zyrtare, ndërsa hyn në fuqi menjëherë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Gjykata, njëzëri, vendosi:
I. TË HEDHË POSHTË kërkesën e parashtruesve të kërkesës;
II. TË REFUZOJË kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme;
III. T'UA KUMTOJË këtë Vendim palëve;
IV. TA PUBLIKOJË këtë Vendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtimme paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuesetë Republikës së Kosovës;
V. TË KONSTATOJË që ky Vendim hyn në fuqi menjëherë, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Kërkesa në Kushtetuese ishte dorëzuar nga Haxhiu një ditë pas ndërprerjes së seancës për zgjedhjen e presidentit të ri, për shkak të mungesës së kuorumit. Në atë seancë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë, numër i pamjaftueshëm për të vazhduar procedurën e votimit.
Pas ndërprerjes së seancës, Haxhiu kishte bërë të ditur se përmes kërkesës në Kushtetuese ishte kërkuar edhe pezullimi i afatit kushtetues që lidhet me zgjedhjen e presidentit, deri në nxjerrjen e aktgjykimit përfundimtar.
Me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese i hap rrugë vazhdimit të procedurave për zgjedhjen e Presidentit, pa ndryshime në afatet kushtetuese./Telegrafi/

















































