Site icon Telegrafi

Kurti vet i 18-ti për gjashtë muaj shpenzoi mbi 120 mijë euro

Mbi 120 mijë euro është totali i shpenzimeve për gjashtë muajt e parë të këtij viti, nga kryeministrit Albin Kurti së bashku me kabinetin e tij politik që përbëhet nga 17 persona.

Bazuar në të dhënat që ka siguruar Telegrafi përmes qasjes në dokumentet publike, kryeministri Kurti së bashku me kabinetin e tij për gjashtë muaj shpenzuan plot 124 mijë e 639 euro.

Këto para u harxhuan për mëditje gjatë udhëtimeve zyrtare, telefon, akomodim, karburant për vetura, si dhe për bileta të udhëtimit e dreka.

Vetë kryeministri Albin Kurti nuk ka marr asnjë cent për mëditje të udhëtimeve zyrtare e po ashtu as për telefon.

Shpenzimet brenda gjashtë muajve nga Zyra e Kryeministrit / Grafika dhe dizajni: Endrit Dallaveraj/Telegrafi.com

Për dallim nga kryeministri, kabineti i tij harxhoi plot 7,811.75 euro për mëditje, dhe 3,753.26 euro për telefon, shkruan Telegrafi.

Para më së shumti u harxhuan për bileta të udhëtimit dhe dreka. Në total shuma e shpenzuar për bileta të udhëtimit është 37 mijë e 760 euro.

Nga këto para, kabineti i kryeministrit shpenzoi 32 mijë e 227 euro, ndërkaq Kurti vetëm 5 mijë e 532 euro.

Lexo po ashtu 88 mijë e 500 euro u shpenzuan nga Zyra e Presidentes për gjashtë muaj – më së shumti para u harxhuan në akomodim jashtë vendit dhe bileta

54 mijë e 765 euro u shpenzuan në total për dreka nga reprezentacioni i kabinetit të kryeministrit.

Për akomodim në udhëtime jashtë vendit kryeministri Albin Kurti së bashku me kabinetin e tij politik shpenzuan 11 mijë e 331 euro.

Kurse 9,217.35 euro janë shpenzuar vetëm për karburant të veturave, ku prej tyre 3,372 euro janë shpenzuar vetëm nga kryeministri Kurti. /Telegrafi/

Exit mobile version