LAJMI I FUNDIT:

​Kurti takoi drejtuesit e Bosch, Datagroup SE dhe Zeiss

​Kurti takoi drejtuesit e Bosch, Datagroup SE dhe Zeiss

Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtutgart të Gjermanisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi drejtuesit e ndërmarrjeve Bosch, Datagroup SE dhe Zeiss.

Në këto takime Kryeministri Kurti theksoi mundësitë për investime dhe mjedisin e favorshëm në Kosovë, pozitën gjeografike dhe stabilitetin institucional. Ai veçoi rritjen ekonomike, borxhin e ulët publik, popullsinë e re dhe të talentuar, si dhe politikën stabile fiskale.

Ai tha se ndikimi i stabilitetit politik vërehet edhe në Investimet e Huaja Direkte, të cilat u rritën me 22%, ndërsa me agjendën ambicioze legjislative të Qeverisë, presim rritje të mëtejme në të ardhmen e afërt. Mbështetja e madhe e Qeverisë për zhvillimin dhe rritjen e industrisë së teknologjisë së informacionit në vend nëpërmjet një agjende digjitale gjithëpërfshirëse, u theksua nga Kryeministri Kurti në takimin me Andreas Baresel, Kryeshef Ekzekutiv në kompaninë e teknologjisë së informacionit Datagroup SE.


Ardhja e kompanive të mëdha globale si Bosch në Kosovë do të ndihmonte sektorin vendor në rritjen e standardeve të punës, cilësisë si dhe konkurrencës brenda sektorëve, u tha në takimin me Tanja Rückert nga kompania Bosch. U diskutua edhe nisma e Qeverisë për mbylljen e hendekut të shkathtësive nëpërmjet arsimit dual.

Ndërsa gjatë vizitës në Zeiss dhe takimit me drejtuesit e kompanisë Dr. Christian Müller e Dr. Marc Wawerla, u theksua se me popullatën tonë të re, Kosova është lokacion i favorshëm për mbështetjen e zinxhirëve ekzistues të furnizimit, si dhe një alternativë e re e për investime në arsim, veçanërisht në arsimimin digjital.

Në këto takime u theksua synimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të përmirësuar mundësitë dhe cilësinë e jetës për të rinjtë tanë, nëpërmjet lehtësimit të të bërit biznes në Kosovë dhe mbështetjes së investitorëve.