Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se sot do të përmbyll vizitën në Bruksel, me Komitetin e Parlamentit Evropian për Punë të Jashtme.

Kurti ka thënë se takimet që ka zhvilluar gjatë këtyre ditëve në Bruksel, ishin takime përmbajtjesorë dhe një shpresë për të ardhmen e Kosovës.


“Ishin këto takime përmbajtjesore të një mikpritje të ngrohtë që më jep shpresë për të ardhmen e Kosovës. Për planin tonë të reformave të shumëfishta dhe orientimin evropian dhe euro-atlantik do të kemi mbështetje serioze”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë:I shoqëruar nga zëvendësit e mi z. Besnik Bislimi dhe znj. Donika Gërvalla, vizitën dje në Bruksel e filluam me takimin me Kryeministrin e Belgjikës, z. Alexander De Croo, dhe vazhduam pastaj në Komisionin Evropian në takime me pesë anëtarë të tij: z. Janusz Wojciechowski - Komisioneri Evropian për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, z. Didier Reynders - Komisioneri Evropian për Drejtësi, znj. Kadri Simson - Komisionerja për Energji, z. Paolo Gentiloni - Komisioneri Evropian për Ekonomi, dhe z. Valdis Dombrovskis - Nënkryetari Ekzekutiv i Komisionit Evropian për një Ekonominë që Punon për Njerëzit. Takuam gjithashtu edhe Kryetarin e Parlamentit Evropian, z. David Sassoli, si dhe z. Miroslav Lajčák - Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun dhe Ballkanin Perëndimor. Ndërkaq sot ditën e filluam me z. Jens Stoltenberg - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për të vazhduar mandej me z. Josep Borrell - Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, z. Olivér Várhelyi - Komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim si dhe znj. Ursula von der Leyen - Presidente e Komisionit Evropian. Ditën dhe vizitën në Bruksel e përmbyllim me Komitetin e Parlamentit Evropian për Punë të Jashtme (AFET). Ishin këto takime përmbajtësore të një mikpritje të ngrohtë që më jep shpresë për të ardhmen e Kosovës. Për planin tonë të reformave të shumëfishta dhe orientimin evropian dhe euro-atlantik do të kemi mbështetje serioze. /Telegrafi/