Kurti pranon telegram urimi nga Boris Johnson: Mbretëria e Bashkuar është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar telegram urimi nga kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson.
Në urimin e Johnson thuhet: “Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova gëzojnë miqësi të ngushtë dhe historike. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është fuqishëm e përkushtuar për ta mbështetur integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë”
Telegrami i plotë i Johnson:I nderuari Kryeministër, Dëshiroj t'ua shpreh urimet e mia më të sinqerta në emër të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, për emërimin tuaj si Kryeministër i Kosovës. Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova gëzojnë miqësi të ngushtë dhe historike. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është fuqishëm e përkushtuar për ta mbështetur integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë. Mezi presim të punojmë së bashku si partnerë në mënyrë që Kosova dhe rajoni më i gjerë të jenë të qëndrueshëm, të sigurt dhe prosperues. Për këtë qëllim, ne mbështesim fuqishëm agjendën tuaj të brendshme për të luftuar korrupsionin, për forcimin e sundimit të ligjit dhe për trajtimin e krimit të rëndë dhe të organizuar. /Telegrafi/




















































