Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, pas Mynihut zhvilluan një takim me bashkatdhetarë në qytetin e Shtugartit, ku diskutuan për zhvillimet në vend dhe kontributin e rëndësishëm të mërgatës shqiptare.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se Kurti theksoi se “mërgata jonë është një përbërës i fuqishëm historik, ekonomik, politik dhe diplomatik i Republikës së Kosovës,” duke e cilësuar atë si “zemrën e përpjekjeve tona për liri dhe përparim.”
Ai nënvizoi se historia e mërgimit e ka transformuar këtë komunitet në një forcë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës, duke thënë se “e ardhmja e kthimit në atdhe është e lidhur ngushtë me kontributin e juaj.”
Në fjalën e saj, zëvendëskryeministrja Gërvalla-Schwarz e quajti Shtugartin “kryeqytet të mërgatës shqiptare,” duke e kujtuar rolin e këtij qyteti në organizimin e aksioneve për ndihmë të Kosovës.
Ajo falënderoi bashkatdhetarët për mbështetje dhe i bëri thirrje që të regjistrohen sa më parë për të ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të shkurtit 2025.
Ky takim theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis Kosovës dhe mërgatës, duke ndihmuar në forcimin e lidhjeve mes dy komuniteteve./Telegrafi/