Gjatë qëndrimit në Shkup, në margjina të Takimit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, kryeministri në detyrë, Albin Kurti zhvilloi takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Kryeministri e përgëzoi homologun e tij për organizimin e suksesshëm të këtij samiti të radhës të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe e falënderoi për mikpritjen.


Bashkë diskutuan për marrëdhëniet bilaterale, për nivelin e zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet dy qeverive nga mbledhjet e përbashkëta, ndër të cilat u theksuan funksionalizimi i dy pikave të përbashkëta kufitare, dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit.

Në frymën e samitit, diskutuan edhe për procesin integrues drejt Bashkimit Evropian për të dy vendet dhe rajonin, si dhe për rëndësinë e Planit të Rritjes dhe fondeve të BE-së në përshpejtimin e reformave të agjendës evropiane.

Gjatë takimit dhe pjesëmarrjes së tij në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga Ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Florian Qehaja.