Kur do të mësojmë se njerëzit nuk janë aq të veçantë?

Mjeti i improvizuar ka shkaktuar shumë habi - por, kjo flet më shumë për njerëzit sesa për lopët.
Nga: Helen Pilcher / The Guardian (titulli: So a cow can use a stick to scratch its backside. When will we learn that humans are really not that special?)
Përkthimi: Telegrafi.com
Kam një shoqe fermere që më rrëfen rregullisht histori plot ngjyra për bagëtinë e saj. Si ajo hera kur një lopë për mish e quajtur Noisette përdori gjuhën për të tërhequr kapësen e derës së stallës të saj, që të mund të vidhte copat e ushqimit nga kazani afër. Ose, hera tjetër kur bëri të njëjtën gjë, jo për të dalë vetë, por mbase vetëm për të qëndruar mënjanë dhe për të parë teksa shoqet e saj të liruara “bredhin dhe shkaktojnë rrëmujë.”
Aty ku të tjerët shohin një tufë lopësh që rrinë kot, shoqja ime sheh një telenovelë - me personazhe dhe kthesa në ngjarje. Lopët, më thotë ajo, mësojnë shpejt, mërziten lehtë dhe kanë një prirje të pashtershme për marifete.
Kështu që, kur u përhap lajmi për një lopë të quajtur Veronika që përdor një fshesë për të kruar prapanicën, shoqja ime nuk u çudit. “Nuk mendoj se ndonjë prodhues qumështi do të habitej nga kjo”, thotë ajo.
Në revistën Current Biology, studiuesit e Universitetit të Mjekësisë Veterinare në Austri, përshkruajnë se si Veronika, një lopë 13-vjeçare shtëpiake zvicerane, kap fshesën me gjuhë, pastaj anon dhe e përdor për të kruar pjesët e trupit që nuk i arrin dot ndryshe. Fundi i sheshtë i fshesës përdoret për lëkurën e ndjeshme të barkut, ndërsa pjesa me fije ruhet për lëkurën më të trashë të shpinës dhe të prapanicës.
Autorët thonë se kjo është jo vetëm hera e parë që përdorimi i mjetit është dokumentuar zyrtarisht te lopët, por edhe tregues i parë që ato mund të përdorin mjetet në mënyrë të përshtatshme dhe për shumë funksione. Veronika e ngriti një fshesë të zakonshme oborri në statusin e një thike shumëfunksionale zvicerane. Duke e kontrolluar me mjeshtëri me gojë, mjeti shërbente si për barkun ashtu edhe për prapanicën.
Reagimi ishte i habitshëm, por nuk duhet të ishte. Ne vazhdimisht i nënvlerësojmë aftësitë e kafshëve jonjerëzore edhe kur provat janë kudo rreth nesh.
Përdorimi i mjetit thuhet se ndodh kur një kafshë manipulon qëllimisht një objekt për të arritur një synim të caktuar. Pra, kur qeni im kruan shpinën duke u rrotulluar në tokë të ngrirë, është gjë e këndshme - por, nuk është përdorim mjeti. Qeni lëviz. Toka jo. Kur ma sjell topin sepse do të luajmë, po, objekti manipulohet, por nuk është ai që e hedh. Në vend të kësaj, ai ka mësuar që unë do ta bëj këtë.
- Lexo po ashtu: Gruaja që ndryshoi mënyrën si i shohim shimpanzetë - dhe vetë qenien njerëzore
Për një kohë të gjatë, përdorimi i mjeteve mendohej si sjellje unike për njerëzit. Pastaj, në vitet ’60 të shekullit XX, primatologia Jane Goodall pa një shimpanze të egër që zhvishte një degë, e fuste në një grumbull termitesh dhe pastaj e tërhiqte jashtë për të ngrënë insektet që kapeshin në të. Që atëherë, janë dokumentuar shumë shembuj të tjerë të kafshëve që përdorin mjete. Lundërzat e detit përdorin gurë si çekiç për të shkëputur molusqet nga fundi i detit dhe si kudhër për t’i thyer guaskat. Në Senegal, shimpanzetë mprehin majat e degëve për t’i përdorur si heshta, të cilat i përdorin për të goditur kafshët e vogla që flenë. Korbat e Kaledonisë së Re krijojnë grepa të sofistikuar nga degët për të nxjerrë larva nga trungjet.
Më pak të shkathtë, por po aq mbresëlënëse: arinjtë polarë besohet se godasin lopët e detit me gurë në kokë; oktapodët hedhin guaska te njëri-tjetri; ndërsa shqiponjat janë parë duke marrë degë të ndezura nga zjarret dhe duke i lëshuar në zona të tjera për të ndezur zjarre të reja. Më pas, sulmojnë kafshët që ikin nga flakët.
Një nga një, tiparet që dikur i konsideronim vetëm njerëzore - si përdorimi i mjeteve, komunikimi kompleks, aftësia për të numëruar dhe kultura - bien si domino.
Por, prapëseprapë, preferojmë të mbajmë gjallë iluzionin e epërsisë sonë të supozuar. Mendoj se historia e Veronikës na tregon më pak për mendjen e lopëve, dhe më shumë për mendjen e njerëzve. Jemi bërë aq të verbër sa nuk arrijmë të shohim se kafshët janë më të zgjuara dhe më të ngjashme me ne sesa i vlerësojmë. Sidoqoftë, shoqja ime fermere është vigjilente. Ajo ka kaluar vite të tëra duke punuar me kafshët dhe duke u kujdesur për to. Ka vëzhguar sjelljen e tyre dhe nuk ka dyshim se janë krijesa komplekse, me jetë të pasur të brendshme. Dhe, ka të drejtë.
Pas raportimit të përdorimit të mjetit nga shimpanzetë nga Goodalli, paleoantropologu britanik Louis Leakey shkroi: “Tani duhet të riformulojmë përkufizimin e mjetit, të riformulojmë përkufizimin e njeriut, ose t’i pranojmë shimpanzetë si njerëz”. Kam një propozim të katërt: nuk kemi pse t’i pranojmë lopët si njerëz - por, duhet të zbresim nga lartësia dhe të pranojmë se nuk jemi edhe aq të veçantë. Lopët, nga ana tjetër, janë. /Telegrafi/




















































