Me gjithë rritjen e inflacionit, paga minimale në Kosovë mbetet e pandryshuar edhe atë qysh në vitin 2011. Vlera e kësaj page është 170 euro, ku sipas Zyrës Evropiane të Statistikave është më e ulëta në Evropë.
Inflacioni, në anën tjetër, ka arritur në 7.5 për qind muajin e kaluar, krahasuar me 0.7 për qind sa ka qenë në shkurt të vitit 2021.
Këshilli Ekonomik Social i Kosovës, sipas Ligjit të Punës, propozon vlerën e pagës minimale në fund të çdo viti kalendarik, e cila më pas kalon për miratim te Qeveria. Ai ka bërë përpjekje për rritjen e saj, por pa sukses.
E fundit është bërë këtë muaj, por anëtarët e Këshillit, që përfshijnë punëdhënës, përfaqësues të punëtorëve dhe zyrtarë të Qeverisë, thuhet se nuk janë pajtuar për shumën.
Kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli që është pjesë e Këshillit Ekonomik Social, thotë për Radion Evropa e Lirë se në mbledhjen e fundit të Këshillit, të mbajtur më 10 mars, janë dhënë dy propozime për pagën minimale: njëri 264 euro dhe tjetri 300 euro.
Propozimet janë dhënë nga komisioni për çmime brenda Këshillit Ekonomik Social, por asnjëri nga to nuk ka kaluar. Nevojiten së paku 2/3 e votave të këshillit 15-anëtarësh që një propozim të kalojë.
“Ne nuk kemi votuar as për, as kundër. Këshilli Ekonomik Social mblidhet një herë në muaj; do të takohemi përsëri dhe do të diskutojmë përsëri rritjen e pagës minimale”, thotë Hykolli, i cili është edhe kryesues i Këshillit Ekonomik Social.
Në të kaluarën, nga BSPK është thënë se paga minimale duhet të jetë jo më pak se 300 euro.
Ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati, në një postim në Facebook më 10 mars, ka njoftuar se propozimi për rritje të pagës minimale ka dështuar, duke thënë se ai nuk është mbështetur nga përfaqësuesit e sindikatave.
Murati ka thënë se Këshilli Ekonomik Social ka propozuar pagë minimale prej 240 eurosh në muaj, ndërsa Qeveria ka propozuar 1.5 euro për orë, apo 264 euro në muaj.
“Krejt çka arrihet me këtë mosvotim është se punëtorët e sektorit privat do të vazhdojnë ta kenë pagën minimale 170 euro”, ka thënë Murati.
Punëdhënësit: Paga minimale 250 euro
Nga Aleanca Kosovare e Biznesit, e cila në Këshillin Ekonomik Social përfaqëson bizneset, thonë se Këshilli ka ardhur në përfundimin se paga minimale duhet të jetë 250 euro neto.
Por, Lumnije Ajdini, nga AGB thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo vlerë është kundërshtuar nga përfaqësuesit e punëtorëve.
“Për ne, si punëdhënës, atë ditë më 10 mars, do të ishte votuar paga minimale, por nuk është votuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës; 250 euro mund të jenë pak, por duhet kuptuar se kjo është minimale, pasi që punëtorët në sektorin privat kanë rroga më të larta”, thotë Ajdini.
Sa kushton shporta mujore e konsumatorit?
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi thotë se në bazë të një analize të bërë, shporta mujore e një familjeje katëranëtarëshe në Kosovë, kap vlerën prej 470 eurosh. Sipas tij, propozimet për pagën minimale janë të papranueshme.
“Pagesa e energjisë, shërbimet komunale, transporti, ushqimi e gjërat tjera bazike – të gjitha këto, duke nxjerrë minimalen e shpenzimeve jetësore, kushtojnë 470 euro. Këtu janë llogaritur vetëm gjërat elementare”, thotë Azemi, organizata e të cilit nuk është pjesë e Këshillit Ekonomik Social.
Kosova nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i të punësuarve që marrin pagë minimale, por besohet se ajo u takon më së shumti të punësuarve në sektorin privat. Sektori privat në Kosovë llogaritet si punëdhënësi më i madh: me mbi 220 mijë punëtorë.
Sipas Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, në pagën minimale përfshihen punëtorët në sektorin e pastrimit, shërbyesit shtëpiakë, punëtorët e sigurimeve private e të tjerë. Paga mesatare bruto në Kosovë është rreth 460 euro. Në sektorin publik, paga mesatare bruto është rreth 620 euro, ndërsa në sektorin privat rreth 380 euro.
Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar qysh në vitin 2011. Këshilli Ekonomik Social ka propozuar në vitin 2018 që paga minimale të jetë 250 euro, por propozimi nuk ka shkuar tutje.
Hykolli thotë se nëse çdo vit do të negociohej paga minimale, kjo pagë aktualisht do të ishte afro 450 euro.
Në bazë të Nenit 86 të Ligjit të Punës, faktori kryesor që duhet të merret parasysh gjatë përcaktimit të pagës minimale, është kostoja e shpenzimeve jetësore, pastaj përqindja e shkallës së papunësisë, gjendja e përgjithshme në tregun e punës dhe shkalla e konkurrencës dhe produktivitetit në vend.
“Nëse të gjitha këto kritere merren për bazë, nuk do të gabonte askush në përcaktimin e pagës minimale”, përfundon Hykolli. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Ramazani me kursime: Zbuloni zbritjet në Emona Center

ATK me apel për qytetarët: Të ardhurat e realizuara nga kriptovalutat, janë të ardhura të tatueshme

Sa kushton shporta e konsumatorit në Kosovë?

Shija e traditës dhe pastërtisë - Produkte halal për syfyre dhe iftare nga Meka Halal Food

Vetura nga Korea apo Evropa? Çfarë duhet të dini para se të bleni një veturë?

Afati i aplikimit po afron për bursa për studentë nga Kosova për studime Bachelor dhe Master në CITY College

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Publikohen pamje nga vendi i ngjarjes, ku Gjesti kaloi murin rrethues të shtëpisë së Big Brother

“Grusht shteti”: Kuvendi i Republikës Srpska miraton ligje që ndalojnë punën e disa institucioneve të BeH brenda territorit të saj

U hodh nga ura 92 metërshe në Zambi, australianes i këputet litari – përfundon në ujërat e mbushura me krokodilë

Mediat gjermane raportojnë se vëllai dhe motra e Besar Nimanit dyshohen se kanë shtënë nga vetura e zezë

Analistët: Votat nga diaspora mund të përcaktojnë formimin e institucioneve

Numërohen mbi 67 për qind e vendvotimeve në përfaqësi diplomatike, procesohen rezultatet