Kryetari Aliu i përgjigjet protestuesve të Zborcit: Kanë tendenca për përfitime politike

Me gjithë kundërshtimet e banorëve, gjatë së hënës është përuruar nisja e punimeve të objektit të ri të Entit Special në fshatin Zborc të Shtimes. Banorët e këtij fshati që nga mëngjesi i së hënës kanë protestuar para një parcele publike afër shtëpive të tyre, aty ku komuna në bashkëpunim me nivelin qendror po synojnë ta ndërtojnë objektin e ri të Entit Special.
Me gjithë kundërshtimet dhe protestat e banorëve, gurthemeli është vendosur në prezencë të forcave të shumta të Policisë së Kosovës dhe Njësisë Speciale.
I pranishëm në këtë ceremoni të inaugurimit ishte edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Qemajl Aliu, kryetar i Komunës së Shtimes, me këtë rast ka thënë se një pjesë e qytetarëve po e kundërshtojnë për inate politike.
‘’Për ata që kanë hamendje do ta kuptojnë se ky është një nga momentet më të rëndësishme në Komunën e Shtimes. Besoj se të gjithë do të jemi të bindur se një ambient më i mirë për ata pacient është e mirë për të gjithë, përveç atyre që mund të kenë tendenca dhe përfitime për një grusht të votave’’, ka thënë Aliu./Telegrafi/



















































